Ndihma juridike dhe strehimi social, ligjet që ndihmojnë shtresat në nevojë

TIRANË, 28 Maj/ATSH/ – Qeveria ka miratuar ligjin e ndihmës juridike dhe ligjin e strehimit social të lëna si rekomandim nga Komisioni Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian me temë “Rritja e Efektivitetit të Sistemit të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe Anti-Diskriminimi/ Të bashkuar kundër diskriminimit”.

Hysi u shpreh se, “Ligji i ndihmës juridike është miratuar dhe shumë shpejt fillon marrja e shërbimeve. Është një ligj jashtëzakonisht i kushtueshëm sepse kategoritë që përfitojnë janë zgjeruar. Midis tyre hyjnë edhe viktimat e diskriminimit nga veprimet abuzive të administratës publike nga të cilat ka një vendim nga Komisioneri që personi është i diskriminuar”.

‘Të mos harrojmë që kemi zgjeruar rrethin e kategorive të personave të tjerë që përfitojnë që janë viktimat të dhunës në familje, viktimat e trafikimit, viktimat e mundshme të trafikimit, por edhe një sërë kategorish të tjera siç janë romët, egjyptianët, personat e LGBTI, personat e aftësi të kufizuar që për një arsye ose një tjetër nuk kanë mundësi të mbrohen vetë. Ajo që është kërkuar dhe që Kuvendi po bën tashmë është miratimi i projekt-strategjisë së edukimit ligjor dhe i planit të veprimit. Pasi ne mendojmë që është shumë e domosdoshme që njerëzit të informohen drejtë se ku mund të marrin shërbimin, e dyta i kemi dhënë shumë rëndësi si Kuvend rritjes së rolit të organeve të qeverisjes vendore pasi shumë informacion mund të merret tashmë nga organet e qeverisjes vendore dhe në sistemin online. Në këtë mënyrë janë shkurtuar një sër pagesash dhe kostosh të cilat janë të domosdoshme”, tha Hysi.

Nga ana tjetër, shtoi Hysi, “mendojmë që buxheti do të rritet dhe është shumë e domosdoshme rritja e buxhetit. Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë dhe Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut që unë drejtoj, duhet të jetë i vëmendshëm për të parë mbulimin e plotë të kostove të këtij projekti”.

“E dyta që është shumë e rëndësishme, është miratuar ligji i strehimit social dhe këtu do të doja të falënderoja BE dhe KiE edhe për kontributin që kanë dhënë për të dyja ligjet. Si përligjin e ndihmës juridike falas nga shteti dhe për ligjin për strehimin social”, nënvizoi Hysi.

Sipas Hysit, “Tek ligji për strehimin social është bërë një revolucion dhe kemi konfirmuar që askush nuk mund të dëbohet ose të zhvendoset pa i ofruar një banesë të përshtatshme. Ky ligj ka kosto financiare. Numri i kategorive që do të përfitojnë janë 24, pra është rritur jashtëzakonisht shumë. Nga 3 programe janë bërë 6 programe që do të ofrohen për qytetarët. Por ne kemi parashikuar në ligj që jemi një shtet social dhe biznesi privat, kompanitë dhe shteti duhet të kontribuojë për të përcaktuar një përqindje të banesave dhe sipërfaqes së banimit që duhet të jepet për qëllime sociale”.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, Claus Neukirch shefi i zyrës së KiE në Tiranë etj,.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.