Lufta ndaj aseteve kriminale, Xhafaj: Koordinim mes agjencive ligjzbatuese

TIRANË, 28 maj/ATSH/-  Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi sot se duhet një bashkëpunim i të gjitha agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të luftuar krimin ekonomik, korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në ambientet e kryeministrisë për luftën kundër pastrimit të parave, ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me “ERNST & Young” Gmbh, Xhafaj tha se “kjo marrëveshje do të ndihmojë në tri shtylla kryesore.

“Çështjet e luftës kundër Krimit Ekonomik, Pastrimit të Parave dhe Korrupsionit përbëjnë një sfidë të rëndësishme për të gjithë agjencitë ligjzbatuese të vendit dhe pa dyshim edhe për Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera që janë pjesë e Ministrisë së Brendshme. Përbëjnë një sfidë të rëndësishme, por duhet pranuar njëkohësisht edhe një sfidë të vështirë për natyrën e këtyre lloj veprash penale për t’u hetuar dhe për t’u nxjerrë përpara përgjegjësisë penale personat përgjegjës”, – tha Xhafaj.

“Policia e Shtetit është në një moment të rëndësishëm reformimi në këtë fushë, në kuadrin e reformimit të përgjithshëm të Policisë Kriminale dhe e konsideron këtë një nga drejtimet kryesore, kyç, të punës së saj në kuadrin e programit të Qeverisë. Natyrisht, miratimi më së fundmi i Planit të Veprimit për këtë çështje, i miratuar nga Qeveria, është një hap i rëndësishëm përpara, jo thjesht dhe vetëm se do ta vendosë këtë çështje akoma më shumë ndër prioritetet e agjendës së punës së Policisë, por ajo që është e rëndësishme është koordinimi më i mirë i të gjitha agjencive ligj zbatuese që operojnë në këtë fushë”, – vijoi Xhafaj.

“Operacioni “Forca e Ligjit”, na ka dhënë një mësim të rëndësishëm: sado e fortë që të jetë një agjenci, sado burime njerëzore të ketë ajo, nëse nuk kemi një koordinim të mirë ndërmjet të gjitha agjencive që operojnë në këtë fushë, nuk mund të bëjmë suksesin e duhur”, – tha ministri i Brendshëm.

“Kjo e marrë në kushtet e vendit tonë, të Shqipërisë, ku edhe burimet njerëzore, financiare dhe teknike, nuk janë aq të shumta për fusha të caktuara, besoj se mbetet një prioritet. Dhe në kontekstin e këtij Plani Veprimi që adreson çështjet që lidhen kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe korrupsionit, kjo mbetet një nga domosdoshmëritë për të pasur sukses dhe në këtë kontekst ofrimi i një kompanie të tillë, prestigjoze me eksperiencë ndërkombëtare, besoj se do të jetë një vlerë e shtuar nga pikëpamja e nevojës që kemi për analiza të rëndësishme, për të kuptuar se cila është qasje më e mirë në kushtet e vendit tonë”, – shtoi ai.

“Së dyti, nga pikëpamja e nevojës për të identifikuar se cilat do të jenë organizimet më të përshtatshme, më eficiente për të adresuar fenomene të kësaj natyre. Së treti, për të rritur nivelin e trajnimeve të kapaciteteve që ne kemi dhe ajo që është shumë e rëndësishme, besoj edhe nga nevoja që ne kemi për të koordinuar jo vetëm ndërveprimet ndërmjet aktorëve shqiptarë, por edhe me aktorë të tjerë ndërkombëtar që operojnë në këtë fushë, sepse, çështjet e pastrimit të parave, apo çështjet e korrupsionit, janë çështje siç e thashë shumë të ndërlikuara, shumë të vështira dhe kërkojnë një koordinim shumë të mirë edhe me partnerët që operojnë në këtë fushë në vendet e tjera”, – tha Xhafaj.

“Një gjë është shumë e rëndësishme dhe besoj që edhe në përzgjedhjen e kompanisë është mbajtur në konsideratë, është trajtimi i të gjithë këtyre raporteve, i gjithë këtyre burimeve, i gjithë këtyre të dhënave të cilat kërkojnë një konfidencialitet të veçantë dhe që kërkojnë natyrisht edhe një kompani të njohur për këtë cilësi, por edhe të aftë për ta bërë këtë gjë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Unë shpresoj që nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jetë një kontribut, do të jetë një vlerë e shtuar, për t’i dhënë një tjetër dimension punës së agjencive tona ligjzbatuese në fushën e luftës kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe korrupsionit”, – përfundoi ministri Xhafaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.