KINË – Pekini proteston për praninë e anijeve amerikane në Detin e Kinës Jugore

PEKIN, 28 maj /ATSH-AFP/ – Kina protestoi për praninë e dy luftanijeve amerikane, pas një incidenti të shënuar të dielën në Detin e Kinës Jugore, një zonë e pretenduar nga disa shtete.

Në një deklaratë të publikuar të dielën në mbrëmje, zëdhënësi i diplomacisë kineze, Lu Kang raportoi se dy anije amerikane, një destrojer ‘’Higgins’’ dhe një anije shoqërimi ‘’Antietam’’ i ishin afruar arkipelagut të Paracels, zonë e pretenduar nga Kina.

Marina kineze i dha urdhër për t’u larguar nga zona, sipas agjencisë zyrtare kineze të lajmeve, Hsinhua.

Marina amerikane kryen rregullisht operacione të quajtuara ‘’Liria e lundrimit’’ në Detin e Kinës Jugore, aty ku Pekini ka ndërtuar instalime ushtarake në ishujt e vegjël artificiale për të dëshmuar pretendimet e tij territoriale.

Në këtë zonë strategjike kalon rreth një e treta e tregtisë botërore./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.