Vlorë/SENSUM, mbylli sezonin e koncerteve të repertorit klasik

142

Vlorë, 26 maj/ATSH-Harilla Koçi/ – Koncerti premierë “SENSUM”, mbylli sezonin e koncerteve të repertorit të muzikës klasike në qytetin e Vlorës.

Koncerti premierë me protagoniste violinisten Abigeila Voshtina dhe Ardita Bufaj në piano, mblodhi në sallën e Tetarit “Petro Marko”, dhjetëra artdashës dhe dashamirës të muzikës klasike, të cilët përjetuan emocione të veçanta.

Në program përfshiheshin kompozitorë të shquar mes të cilëve Leone Sinigaglia me “Intermezzo”, op.13 nr.2, Paul Hindemith me “Sonatë për violinë solo”, Ottorino Respighi me “Sonatë për violinë dhe piano në si minor”, Paolo Marzoçhi me “Pranvera filloi me ardh”, për piano solo, si edhe Thoma Simaku me “Albanian Folk Song”, për violinë dhe piano.

Dy instrumentistet e njohura në skenën e këtij zhanri të muzikës në Shqipëri, u mirëpritën me mjaft ngrohtësi nga artdashësit që kishin mbushur sallën e Teatrit “Petro Marko”. Ata vlerësuan interpretimin e shkëlqyer të Voshtinës dhe Bufajt, të cilat sollën për publikun vlonjat një repertor me vepra premierë në Shqipëri, të autorëve që spikasin për profilin e tyre të një standardi dhe niveli të lartë.

Në fjalën e vet, Voshtina falenderoi artdashësit e pranishëm dhe faktin që krijime të tilla të një vështirësie të tepër lartë si ato të Sinigaglia, Hindermith, Respighi, Marzoçhi e Simaku.

Ndërkohë, kompozitori i njohur vlonjat, Aulon Naçi, njëkohësisht këshilltar për kulturën në Bashkinë Vlorë, vlerësoi publikun dhe nivelin interpretativ të dy protagonisteve të kësaj mbrëmjeje të veçantë. “Edhe një herë publiku i Vlorës, ose më saktë ai publik që ka rreth dy vjet që ndjek të gjitha koncertet e muzikës klasike në Teatrin e Qytetit, tregoi që muzika klasike mbijeton në shekuj dhe koncerte me nivel të lartë interpretativ dhe me program të vështirë për publikun, tashmë janë mëse të pranueshëm dhe vlerësohen maksimalisht”, nënvizoi ai në një prononcim për ATSH-në. Naçi falenderoi dy artistet Ardita Bufaj dhe Abigeila Voshtina, që i dhuruan Vlorës një mbrëmje plot emocion me një repertor të zgjedhur me vepra premierë në Shqipëri.

Ai veçoi edhe veprën e Thoma Simakut, që është bazuar mbi motivet e këngës “Moj e bukura more”. të cilën publiku e kërkoi për ta dëgjuar sërish.

Ky koncert, i realizuar nga Bashkia Vlorë, Teatri “Petro Marko”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, shënoi edhe mbylljen e sezonit koncertor të repertorit të muzikës klasike në qytetin e Vlorës, që nisi në muajin shtator të vitit të kaluar. Gjatë këtij sezoni, u dhanë 16 koncerte të muzikës klasike në këtë qytet, një numër që, sipas kompozitorit Aulon Naçi, është tepër I lartë dhe i pakrahasueshëm me asnjë qytet tjetër në Shqipëri./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.