PRISHTINË, 26 Maj/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u takua sot në Tiranë me ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco, i cili po qëndron në Shqipëri si pjesëmarrës në “Mëngjesin e Lutjeve”.
Kryeparlamentari Veseli ka diskutuar me zyrtarin e lartë Amerikan, Peter Marocco, për zhvillimet politike në Kosovë dhe për bashkëpunimin Kosovë-SHBA.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka informuar zyrtarin e lartë Amerikan për arritjet e Kosovës, me theks të veçantë për procesin e integrimeve euro atlantike të vendit.
“Kosova po luan një rol të rëndësishëm për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Veseli.
Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për çështje të stabilitetit dhe sigurisë, Peter Marocco, nga ana e tij ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën do të vazhdojë dhe do të thellohet në të gjitha fushat.
Gjatë pjesëmarrjes në “Mëngjesin e Lutjeve”, që këtë vit u organizua në Tiranë, kryeparlamentari Kadri Veseli ka pasur takime edhe me krerë të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse në këtë aktivitet./k.s/
