“Mëngjesi i Lutjeve”, Meta: Së shpejti pjesë e BE-së, në harmoni të plotë me fqinjët tanë

TIRANË, 26 maj/ATSH/.- “Ne besojmë fort që së afërmi të bëhemi pjesë e Europës së Bashkuar, duke bashkëjetuar në radhë të parë në mënyrë të sinqertë dhe në harmoni të plotë me të gjithë fqinjët tanë”, theksoi sot presidenti Ilir Meta në veprimtarinë “Mëngjesi i Lutjeve – South East Europe Gathering 2018” me temë “Love Your neighbor – Duaje fqinjin tënd!”, të mbatjur në Tiranë.

Në këtë aktivitet ku morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë, politikanë nga trojet shqiptare dhe vendet fqinje, Meta tha se “si një vend ballkanik, e dimë mirë, se të duash fqinjin nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur luftëra dhe tragjedi kanë ndodhur në të shkuarën jo të largët”.

“Në dy dekadat e fundit për fat të mirë është dëshmuar se, paragjykimet historike, diferencat fetare, etnike dhe kulturore mund të kapërcehen dhe t’i hapin rrugë mirëkuptimit dhe bashkëpunimit”, nënvizoi Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se “Shqipëria është kthyer në një model pozitiv në rajon, si një vend që ndërton marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët.
Çdo komb në këtë rajon është diku shumicë, e diku pakicë”.

Ne, vijoi ai, të gjithë e kemi mësuar se e vetmja zgjidhje për të jetuar në paqe dhe në harmoni është të respektojmë kudo pakicat dhe të jetojmë të gjithë në një shoqëri, e cila bazohet në radhë të parë në vlerat më të mira njerëzore dhe evropiane.

“Paqja dhe siguria janë sot evidente në këtë rajon, por ato janë pranë mundësive historike për të qenë të pakthyeshme ndaj ne në këto momente dhe sot lutemi për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, sepse kjo do të zhbllokonte procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe do të përshpejtonte integrimin evropian jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të gjithë rajonit tonë”, theksoi Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “ne lutemi sot edhe për suksesin mjaft të dëshiruar e të shumëpritur të fazës finale të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi të dyja këto ngjarje pozitive, të cilat janë plotësisht të mundshme që të ndodhin sipas motos “Duaje fqinjin tënd!” padyshim që do të ishin një moment historik për të gjithë Ballkanin dhe për të gjithë rajonin tonë, por edhe për të gjithë kontinentin”.

Duke e konsideruar Shqipërinë një vend të bekuar me bashkëjetesën dhe harmoninë vëllazërore të besimeve të ndryshme fetare, Meta tha se “fryma e tolerancës, bashkëjetesës dhe e mirëkuptimit ndërmjet këtyre besimwve janë vlera të trashëguara prej shekujsh, që ne i ruajmë në traditën më të mirë shqiptare duke investuar më shumë dhe me më shumë përkushtim dhe përgjegjësi. Meritë të veçantë dhe një kontribut të paçmuar kanë dhënë drejtuesit dhe klerikët e bashkësive tona fetare”.

Në lidhje me organizimin e këtij aktiviteti, presidenti bëri të ditur se “kjo është nga ato ngjarje të pakta, por tepër të dobishme e frymëzuese të bashkëpunimit bipartizan në Shqipëri aq të domosdoshëm. Ndihem i nderuar rreth kaq shumë miqve, të cilët u përkasin vendeve, besimeve dhe përgjegjësive të ndryshme, nën moton “Duaje fqinjin tënd””. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.