Mbyllet me sukses aktiviteti “Netët e Letërsisë Austriake” 2018

TIRANE, 26 maj/ATSH/- Përfundon nata e tretë dhe e fundit e aktivitetit “Netët e Letërsisë Austriake”, me kujdesin e veçantë të IDMC-së dhe Ambasadës Austriake.

Të rinjtë studentë mbushën edhe mbrëmjen e 25 majit sallën e Teatrit duke treguar interes të veçantë për veprat e njohura të letërsisë bashkëkohore.

Pjesa e parë e aktivitetit iu dedikua autores mysafire në këtë aktivitet, Christina Maria Landerl e cila ndau me publikun momente të jetës dhe veprës së saj. Landerl e cila vonë i ishte futur botës së letërsisë, të shkruarit, tregoi në një bashkëbisedim me përkthyesen Edlira Agolli se ky pasion i saj i madh vinte si frymëzim nga vendi i saj i lindjes Austria, nga historitë apo ndodhitë e përditshme aty, ndaj jo më kot një prej tregimeve me titull “Braktisni Qytetin” i dedikohej pikërisht asaj. Me tregime të shkurtra, një gjuhë të thjeshtë dhe lineare, të shkruar në vetën e parë dhe të tretë, Landerl kënaq gjithmonë publikun e saj. Ajo lexoi për publikun në sallë disa fragmente nga vepra e saj, të cilat ngjallën jo pak kureshtje nga të rinjtë pjesëmarrës të cilët i drejtuan asaj disa pyetje.

Ndërsa pjesa e dytë i’u dedikua dramaturgut dhe gazetarit të njohur Stefan Zweig. Një panoramë të gjithë jetës së tij, krijimtarisë, mesazheve që përçon, ndikimit të tij nga autorë të tjerë, përhapja e ideve të tij për filozofinë e jetës, marrëdhënieve shoqërore apo rolit të letërsisë në shoqëri u përcollën nga Drejtori i Qendrës së Zweigut në Salzburg, Klemens Renoldner, nën moderimin e autorit dhe kritikut shqiptar Agim Baci.

 

Pyetje të shumta zbuluan mbi të gjitha karakterin e krijimtarisë së vet Zweigut, i cili me veprat e tij, duke filluar nga novelat e famshme e deri tek letrat apo dorëshkrimet e tij ka pushtuar botën. Gjatë diskutimit, ndër të tjera u theksua se Franca është vendi ku Zweig është botuar më shumë, por nuk u la pa përmenduar fakti se edhe në vendin tonë librat e tij janë përkthyer herët duke zënë kështu vëed edhe në biblotekat tona.

Rikujtojmë që “Netët e Letërsisë Austriake” treguan edhe njëherë këtë vit kujdesin e veçantë ndaj veprave të njohura të letërsisë botërore, duke i sjellë ato në vëmëndjen e publikut. Me mesazhin se libri kur kalon kufinjë merr shumë me vete dhe i përjetëson ato në realitetin ku ndodhet u përmbyll ky aktivitet që vinte në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.