Rama: Ulje drastike e taksave për 97% të qytetarëve

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155833543471523/

TIRANË, 25 maj/ATSH/- Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se 97% e qytetarëve shqiptarë që kanë një vend punë në shtet apo në sektorin privat, sot paguajnë më pak taksa.

Rama u ndal sot në Kuçovë, në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”.

“Kemi rritur gjithsej vetëm dy taksa dhe ato janë taksa për ata që fitojnë më shumë dhe taksa mbi karburantin”, deklaroi Rama, dhe ky sipas tij ishte edhe vizioni i Partisë Socialiste që kur ishte në opozitë.

“Debatit dhe deformimit të parë të madh a janë rritur apo s’janë rritur taksat në Shqipëri nga qeveria që drejtohet nga Partia Socialiste Rama i përgjigjem me fakte dhe shifra të cilat flasin krejt ndryshe. Ne kemi ulur taksat masivisht për 97% të qytetarëve shqiptarë që punojnë në shtet apo në privat”, theksoi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, të gjithë ata që marrin një pagë deri në 160 mijë lekë, sot paguajnë më pak taksë nga paga e tyre. “Ata që marrin më pak paguajnë më pak taksa dhe ata që kanë një pagë nën 30 mijë lekë nuk paguajnë asnjë taksë”, vuri në dukje kryeministri.

Po ashtu, kreu i qeverisë tha se e njëjta logjikë është përdorur edhe për biznesin.

“Çdo biznes me xhiro vjetore 5 milionë lekë nuk ka taksë, ndërkohë që e kishte 10%. Për bizneset me xhiro vjetore nga 5-8 milionë lekë sot që flasim ka 5% taksë. Por me paketën e re që do të hyjë në fuqi në vitin që vjen fasha 5% tatim mbi fitimin do të shtrihet deri në 14 milion lekë xhiro vjetore “, sqaroi kryeministri.

Kjo përbën, sipas tij, një ulje drastike të taksës ku përfitojnë të gjitha bizneset e vogla që u përfshinë në skemën e TVSH-së dhe një pjesë tjetër pasi ishin futur te biznesi i madh.

“Ne jemi qeveria që kemi rritur taksat për zyrtarët që kanë një pagë më të lartë dhe ndërkohë që ne akuzohemi se jemi qeveria që kemi vendosur më shumë taksa, kur në fakt kemi rritur ngarkesën fiskale mbi të pasurit”, u shpreh Rama.

Kryeministri, po ashtu bëri të ditur se ka edhe një tjetër kategori që paguan më shumë taksa që janë biznesi i ndërtimit. Sot sipas tij ata paguajnë nivelin më të lartë të taksave.

Taksa e dytë që kemi rritur, evidentoi kryeministri është taksa mbi karburantin.

Por theksoi ai, edhe pse u rrit ngarkesa fiskale çmimi vijon të jetë më i ulët se sa kur ishte para vendosjes së kësaj takse duke u kursyer rreth 100 milionë dollarë qytetarëve për shkak të çmimeve më të ulëta të karburantit në tregjet ndërkombëtare.

Rama tha se ne vendosëm të rrisim këto dy taksa për të mos prekur me taksa sektorë dhe individë që kanë nevojë për mbështetje.

Por kryeministri kërkoi që të mos konsiderohet ngarkesë fiskale fatura e energjisë apo ujit, pasi ai është shërbim dhe jo taksë.

“Nëse 50% e njerëzve ishin mësuar të vidhnin energjinë e sot e paguajnë dhe ju duket se paguajnë taksa, kjo nuk qëndron si logjik”, tha ai.

Rama po ashtu, e quajti absurd faktin se në një Shqipëri të varfër deri 5 vite më parë ishin pikërisht pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, apo familjet me të ardhura të ulëta ata që kanë paguar faturat e ujit dhe dritave rregullisht.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.