Kosovë- Komuna e Kaçanikut kërkon ndihmën e qeverisë për përmbytjet

PRISHTINË, 25 Maj/ATSH/.- Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, i ka kërkuar kryeministrit Ramush Haradinaj ndihmë për të ndërhyrë në mënyrë urgjente për rehabilitimin e dëmeve që janë shkaktuar në këtë komunë nga përmbytjet.

Në kërkesën drejtuar qeverisë sot më 25 maj, thuhet se dëmet janë shkaktuar për shkak të reshjeve të rëna më 21, 22 dhe 23 maj.

“Ka patur dëme të konsiderueshme në vende në komunë duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut. Si pasojë janë bllokuar rrugët si dhe janë dëmtuar prona publike dhe private”, thuhet në kërkesën drejtuar qeverisë.

Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në lagjen “Shaqir Kuka”, në rrugën Kaçanik – Gajrë dhe Ivajë, si dhe në fshatin Bob, ku po thuhet se është në rrezik rrjeti i ujësjellësit të qytetit.

Masat paraprake për eliminimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve janë: ndërtimi i shtratit të përrenjve dhe mirëmbajtja e rregullt e tyre.

“Duke pasur parasysh buxhetin e vogël të komunës sonë për situatat emergjente, e kemi pamundur ndërhyrjen për evidentimin dhe rehabilitimin e kësaj gjendje në këtë periudhë”, thuhet në kërkesën e komunës së Kaçanikut. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.