Agjencia Telegrafike Shqiptare

Imazhet e Kosovës po bëhen të njohura në gjithë botën

PRISHTINË, 25 Maj/ATSH/.- Trashëgimia e pasur kulturore, bashkëjetesa fetare, krijime artistike të talenteve të rinj, fëmijëve me autizëm, ishin pjesë e ekspozitës “Urbanizmi i ri dhe bashkëjetesa kulturore në Kosovë”, të prezantuar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia.

Kjo ekspozitë u vizitua nga drejtues institucionesh dhe zgjoi interesin e shumë vizitorëve nga vende të ndryshme të botës.

Ministri i Jashtëm , Behgjet Pacolli, gjatë vizitës në këtë ekspozitë tha se “imazhet e Kosovës ishin mes projekteve më brilante të studiove të dëshmuara arkitekturore më të mëdha në botë, fakulteteve të kësaj fushe në gjithë globin”.

“Ura e Gjakovës, objektet e tre feve që bashkëjetojnë shpesh në viset tona, shkolla e vjetër shqipe e Prishtinës, u bënë pjesē e vitrinës më të ndritshme të botës në arkitekturë, në ndërtesën e Qendrës Kulturore Europiane, në mes të Venedikut plot turistë nga gjithë bota.
 Kosova po bëhet më e njohur”, theksoi Pacolli.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri me 25 Nëntor, 2018, ndërsa pritet të vizitohet nga qindra mijëra turistë nga vende të ndryshme.

Kuratore e ekzpozitës ishte Drejtorja Artistike e Fondacionit “Ibrahimi Kodra”,  Maria Pacolli,  ndërsa ajo u organizua falë mbështetjes dhe bashkëpunimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Punëve të Jashtme.  /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version