Harmonia fetare, dhurata që mund t’u bëjmë si shembull vendeve të qytetëruara

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155833972166523/

TIRANË, 25 maj/ATSH/ – “Harmonia jonë fetare përbën pa diskutim elementin më të çmuar, e ndoshta dhuratën më të shkëlqyer që ne mund t’i bëjmë si shembull vendeve të qytetëruara, sepse askund tjetër nuk ndodh që të krishterët të ulen në tryezën e Iftarit për të nderuar vëllezërit mysliman apo myslimanët të ulen në tryezën e krishtlindjeve për të nderuar miqtë dhe motrat e vëllezërit e tyre të krishterë”, deklaroi kryeministri Edi Rama i cili mori pjesë sot në Iftarin e shtruar nga komuniteti mysliman i Kuçovës.

Shembulli i devotshmërisë ndaj vëllazërisë ndërfetare dhe i bashkekzistencës mes komuniteteve në paqe e harmoni, është modeli më i vyer që ne, jo vetëm duhet të mbrojmë për fëmijët e fëmijëve tanë, nënvizoi kreu i qeverisë, por edhe mund të eksportojmë në një Europë të përçarë nga tensionet fetare dhe nga një islamofobi që në fakt ngërthen në vetvete variantin më të poshtër për të ardhmen e kontinentit tonë.

“Modeli ynë falë edhe kontributeve të komunitetit mysliman dhe komuniteteve të tjera, është përgjigja më e mirë ndaj këtij versioni urrejtjeje dhe përçmimi ndaj besimtarëve apo njerëzve të përkatësisë islame, një version, që për fat të keq ka prekur shumë njerëz, të cilët as nuk e kanë idenë se çfarë është islami i vërtetë dhe për fat të mirë, nuk ka prekur shumë njerëz në bashkësinë tonë shqiptare sepse në jetën e përditshme për të gjithë ata që nuk i përkasin këtij besimi, është e qartë se njerëzit e këtij besimi përçojnë dëshirën për harmoni dhe vullnetin për paqe mes komuniteteve”, vijoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se koha ka treguar se komuniteti mysliman ka qenë aleat i qëndrueshëm i shtetit në mbështetje të së mirës.

Rama nënvizoi këtu mbështetjen që komunitetet fetare në vend, dhanë për reformën në drejtësi, duke e cilësuar si një ndër reformat më madhore në historinë e shtetit shqiptar dhe si një reformë që pa mbështetjen e shumicës nuk do të kishte qenë e mundur.

Më tej, ai theksoi se qeveria i ka kushtuar një vëmendje të madhe edhe restaurimit të objekteve të trashëgimisë islame dhe kthimit të tyre në identitet.

“Ajo që një shtet mund të bëjë, është të ndërtojë një shtëpi ku të gjithë besimtarët të gjejnë amshim dhe të ndihmojë që të gjitha shtëpitë brenda oborrit të madh të bashkëjetesës në një vend të përbashkët, të mbajnë në këmbë e të mbajnë brenda në qetësi e siguri banorët e tyre. Prandaj për mua është edhe një moment kënaqësie e krenarie që përveç shtëpisë kryesore, më të madhes, xhamisë qendrore që po ngrihet në Tiranë, pak javë më parë këtu nisi puna për restaurimin e tre xhamive antike të këtij qarku. Këto janë tre nga dhjetëra objekte të çmuara të trashëgimisë islame në vendin tonë që janë rikthyer apo po rikthehen në identitet”, deklaroi Kryeministri.

Një tjetër kontribut i yni, për të ngritur e forcuar themele mbi themele pavarësisht cilës fe i përkasim apo besojmë, sepse në fund të ditës feja është veçse e një pjesë, sipas Ramës, është finalizimi që vetëm pak ditë më parë u bë realitet i projektit për dixhitalizimin e plotë të arkivit të komunitetit mysliman, pranë Arkivit Qendror të Shtetit.

“Për Shqipërinë janë mbi 500 faqe, shkresa e dokumente të dixhitalizuar që përbëjnë një thesar të paçmuar, një bibliotekë të shpëtuar dhe të ri gjetur, që për nga rëndësia në përmasën tonë të vogël, nuk besoj se do të ishte e tepruar të krahasohej me atë të Aleksandrisë së Lashtë, e cila tanimë vihet në shërbim të historianëve, dijetarëve e studiuesve në vendin tonë”, bëri të ditur shefi i ekzekutivit, Rama./a.gjonaj/ /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.