Haradinaj: Sportistët të ngrejnë flamurin e Kosovës në arenat ndërkombëtare

PRISHTINË, 25 Maj/ATSH/.- Kryeministri Ramush Haradinaj priti sot në një takim lojtarët e ekipit të futbollit “Drita”, të Gjilanit që u shpallën kampionë të Kosovës.

“Ekipi “Drita” e fitoi titullin në një kampionat që ka shënuar ngritje në cilësi dhe organizim. Sikur ditën kur ua dorëzova kupën e kampionit, ishte nder edhe sot t’i pres në takim futbollistët gjilanas”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Kreu i qeverisë thekson se “me këtë rast, shpreha respektin tim për themeluesin e kësaj skuadre, mikun tim të ndjerë Selami Osmani-Bezi, për kontributin e tij të çmuar për zhvillimin e sportit në vendin tonë”.

“Puna e madhe, profesionalizmi dhe përkushtimi në fushën e sportit janë dëshmi e angazhimit të fuqishëm të sportistëve tanë që flamuri i Kosovës të vazhdojë të ngrihet sa më lartë edhe në arenat ndërkombëtare”, përfundon Haradinaj./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.