“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, me piktura të jashtëzakonshme në GKA

TIRANE, 24 maj/ATSH/-“Edi Hila–Piktori i Transformimit”, kështu titullohet ekspozita që do të çel sezonin e ri artistik në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita e parë retrospektive e piktorit Edi Hila do të çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve .

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facebok me ftesën për të ndjekur pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për të kaluar një moment magjie artistike në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ekspozohen nga sot pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë.

Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rendësishëm në punën e Hilës.

Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri filloi ndëshkimi i shfaqjeve me influenca të huaja në art dhe kulturë. Si pasojë u kritikua Mbjellja e Pemëve si dhe dekori i Festivalit të 11-të. Mbjellja e Pemëve u cilësua si një pikturë me një ekspresivitet të theksuar që devijonte nga doktrina e realizmit socialist e të cilës i mungonte e ashtuquajtura “frymë revolucionare”. Për këto arsye, kjo pikturë së bashku me dekorin e Festivalit të 11-të, shërbyen si bazë për dënimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Largimi nga realizmi socialist, i kushtoi Hilës tre vite në fabrikë, ku detyra e tij kryesore ishte transporti i thasëve. Gjatë viteve 1975-1978, ai krijoi fshehurazi një seri vizatimesh e grafikash në akuarel, motivet e së cilës frymëzoheshin nga puna dhe jeta e punëtorëve të fabrikës së pulave.

Në vitet 90-të, Hila vazhdoi të pikturojë duke kërkuar rafinimin e qëndrimit të tij estetik, duke e vëzhguar me kujdes jetën teksa ndryshonte thelbësisht pas rënies së regjimit komunist dhe duke u përpjekur të paraqesë realitetet e transformimit shqiptar. Hila krijoi serinë novatore Komfort (1997) gjatë krizës së thellë që pasoi rënien e skemave piramidale, e cila çoi vendin në një kaos të gjithanshëm. Seria paraqet utopinë e konsumit të pashtershëm që i ishte premtuar shoqërisë së re.

Hila kryesisht krijon seri mbi një temë të caktuar përgjatë disa pikturash. Seritë më të rëndësishme të Hilës përfshijnë Paradoks (2000–2005), Marrëdhëniet (2002–2014), Kërcënimi (2003–2009), Objekte anash rrugës (2007–2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Të punuarit në mënyrë tematike i zhvesh transformimet e Evropës lindore nga rastësia apo aventura, të cilat gjënden rëndom në shumë interpretime të tjera të këtij fenomeni në rajon. Duke i dhënë këtyre transformimeve peshën e të vërtetave thelbësore, duket sikur është ai, pra artisti, kronisti i fundit i tyre.

Realizmi i pikturës së Hilës është i veçantë, i bazuar në vrojtimin e vëmendshëm të detajeve, të cilin ai e shfrytëzon për të përçuar të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Ky reduktim thelbësor vjen nga prirja e Hilës ndaj klasicizmit si dhe magjepsja me burimet e pikturës rilindase. Duket sikur modernizmi ka avulluar nga fusha e interesave të tij. Ndaj transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit.

Edi Hila: Piktori i Transformimit është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.