BEOGRAD – Brnabiç-Xhaferi: Bashkëpunimi rajonal çelësi për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

BEOGRAD, 24 maj /ATSH-MIA/ – Bashkëpunimi rajonal dhe rruga europiane janë çelësi për stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor, deklaruan kryeministrja serbe, Ana Brnabiç dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi gjatë një takimi në Beograd.

“Serbia përkrah zhvillimin e marrëdhënieve miqësore, të bazuara në historinë e përbashkët dhe lidhjet e afërta tradicionale të dy popujve”, deklaroi Brnabiç duke shtuar se me marrëdhënie më të fuqishme përmes bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik në kuadër të Procesit të Berlinit vendet në rajon, do të sigurohen më shpejt kushtet për anëtarësim në BE.

Ajo theksoi edhe se Serbia angazhohet për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në dhe për marrëveshje sa më të shpejtë rreth zgjidhjes së kontestit bilateral mes Shkupit dhe Athinës lidhur me emrin e Maqedonisë.

“Duhet të vazhdohet me komunikimin në nivelin më të lartë politik në të gjitha institucionet duke përfshirë parlamentin, qeveritë dhe presidentët e shteteve, të cilët duhet të jenë garantues të zbatimit të akteve të cilat i kontraktojnë dy shtetet në dobi të qytetarëve”, deklaroi Xhaferi.

Xhaferi u takua edhe me kryetaren e parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç.

”Maqedonia e mbështet Serbinë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që çon drejt ruajtjes së stabilitetit rajonal”, deklaroi Xhaferi pas takimit me Gojkoviçin./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.