Vllaznia mposht 5 me 1 Skënderbeun dhe bie nga kategoria

TIRANË, 23 maj/ATSH/ –  Ekipi i “Vllaznisë” ka zbritur një kategori më poshtë dhe sezonin e ardhshëm do të luaj në Kategorinë e Parë.

Edhe pse arriti një fitore të thellë 5 me 1 kundër ekipit Korçar në fushën e këtyre të fundit, ekipi shkodran nuk arriti të mbijetonte në Kategorinë Superiore të futbollit.

Në Korçë, “Vllaznia” arriti të shënojë dy gola në pjesën e parë dhe 3 në të dytët, të cilët ishin të mjaftueshëm për mbijetesën nëse “Kamza” do të barazonte me “Partizanin”, por kjo gjë nuk ndodhi në “Selman Stërmasi”.

“Kamza” arriti të merrte 3 pikët e mbijetesës në kryeqytet ndaj “Partizanit” me një gol të shënuar nga Rezi.

Në ndeshjet e tjera të javës së fundit të kategorisë Superiore, Laçi fitoi 4-2 me Teutën, Lushnja u mposht në fushën e saj 1-2 nga Luftëtari, i cili siguroi Europa League. Ndërkohë, “Kukësi” barazoi 2-2 me “Flamurtarin”. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.