Shqipëri-Izrael, bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes

TIRANË, 23 Maj/ATSH/-.Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është në një vizitë zyrtare në Izrael. Ministrja Xhaçka është ministrja e parë e Mbrojtjes e Shqipërisë në një vizitë zyrtare në Izrael.

Ministrja Olta Xhaçka gjatë vizitës në Tel Aviv, zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Avigdor Liberman.   “Marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Izraelit janë të një rëndësie të veçantë. Izraeli është aleat i vyer i NATO-s në luftën kundër terrorizmit. Të gatshëm për memorandum bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha Xhaçka.

“Vlerësojmë rolin e Shqipërisë për garantimin e sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera si aleatë strategjikë për sigurinë në rajon”, tha Liberman.

Xhaçka i bëri ftesë për bashkëpunim institucional Ministrit të Mbrojtjes Izraelite. “Ftesë për bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes së Izraelit për Qendrën për studimin e fenomenit të Luftëtarëve të Huaj Terroristë. Shkëmbimi i modeleve dhe kurrikulave në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, është projekt i afërt mes dy Ministrive të Mbrojtjes”, u shpreh Xhaçka.

Xhaçka gjatë vizitës pati dhe takime me drejtues të Këshillit Kombëtar të Sigurisë si dhe të industrisë ushtarake, SIBAT. Ministrja  Xhaçka gjithashtu vendosi kurorë me lule në Memoralian në nderim të viktimave të Holokaustit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.