Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, kryesojnë polakët

TIRANË, 23 maj/ATSH/-Për turistët polakë, Shqipëria është një destinacion i rëndësishëm, ç’ka dëshmohet edhe nga kërkesa për të bërë pushime në vendin tonë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi sot se numri i shtetasve polakë që kanë vizituar vendin tonë gjatë periudhës janar-prill të këtij viti është rritur me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në katër mujorin e parë e 2018 është 1.028.498, duke u rritur me 7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.”Në katër mujorin e parë 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe 33%”, thuhet në raportin e INSTAT “Për lëvizjen e shtetasve”.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në katër mujorin parë 2018, është 1.563.003, duke u rritur 5.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për nga mënyra e udhëtimit, shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë përdorur transportin ajror janë në rritje me 11.4% në hyrje dhe 10.6% në dalje.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.