Romero jashtë Botërorit, Argjentina humbet portierin titullar

TIRANË, 23 Maj/ATSH/ -Përfaqësuesja e Argjentinës, ka humbur një nga tre portierët e listës përfundimtare pak më shumë se tri javë nga starti i Botërorit, Rusi 2018.

Sergio Romero, pjesë e Manchester United, ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju që nuk e lejon të udhëtojë me pjesën tjetër të përfaqësueses së Argjentinës drejt Rusisë.

Federata Argjentinase e Futbollit nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se “Romero ka probleme në gju e për rrjedhojë do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Në ditët në vazhdim stafi teknik i Argjentinës do të bëjë publik emrin e portierit që do ta zëvendësojë.”

Romero, që te Manchester United ka rolin e portierit të dytë, pritej që të ishte titullari i portës së Argjentinës në Botëror, pasi e kishte fituar konkurrencën me Wilfredo Caballero. Më dëmtimin e tij do të jetë pikërisht portieri i Chelsea-t zgjedhje e parë për Jorge Sampaolin.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.