BRUKSEL – BE-ja i kërkon Italisë një përgjigje të besueshme për borxhin publik

BRUKSEL, 23 maj /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian i bëri sot thirrje Italisë, e cila përgatitet për të patur një qeveri populiste, për të sjellë një përgjigje të besueshme për borxhin publik, më i larti pas Greqisë në zonën euro.

“Borxhi italian është një çështje e rëndësishme për të ardhmen e Italisë. Kjo kërkon një përgjigje të besueshme dhe si një person i afeksionuar pas Italisë dhe mik i italianëve, duhet të jemi të kujdesshëm”, deklaroi komisioneri europian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici, gjatë një konference shtypi në Bruksel.

“Mesazhi ynë politik është me të vërtetë mjaft i qartë. Italia duhet të vijojë uljen e borxhit publik që është më i larti në BE, pas Greqisë”, u shpreh zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, përgjegjës për euron.

Moscovici shtoi gjithashtu se ekzekutivi europian duhet të respektojë legjitimitetin demokratik dhe ritmet demokratike.

”Komisioni do të shprehet kur të vijë koha për aktet, që do të thotë, një buxhet dhe ligje”, përfundoi ai./ /v.b/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.