“Smile Albania”, 1 mijë buzëqeshje për promovimin e Shqipërisë

TIRANË, 22 Maj/ATSH/.- Projekti “Smile Albania, 1 mijë buzëqeshje në të gjithë Shqipërinë”, i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është një fushatë ndërgjegjësimi për çështjen e të mbajturit pastër të vendit tonë”, deklaroi sot në Tepelenë zëvendësministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi.

Në fjalën e saj në takimin e zhvilluar për prezantimin e projekteve të reja zhvillimore për qarkun e Gjirokastrës, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, zv/ministrja Çuçi tha se “1000 të rinj në sezonin veror do të jenë prezent në të gjithë territorin e vendit në ndihmë të menaxhimit dhe prezantimit të aseteve turistike të vendit”.

“Këta të rinj do të kryejnë edukim mjedisor në gjithë vendin në 19 pika, por edhe do t’i prezantojnë çdo shqiptari dhe turisti që vjen të gjithë atraksionet e jashtëzakonshme që ka turizmi në Shqipëri”, tha ajo.

Duke folur për punën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në pastrimin e territorit të vendit, Çuçi bëri të ditur se “për herë të parë ne u morëm paralelisht me sektorët kryesorë në fushën e mjedisit së pari me edukimin dhe ndërgjegjësimin. Për herë të parë po punohet nga Ministria e Arsimit dhe Mjedisit për një kurrikul të veçantë, e cila do të bëjë edukim të mirëfilltë mjedisor për të gjithë brezat që do të vijnë”.

“Vetëm në një javë në “Javën e Tokës” ne arritëm të pastronim 4725 tonë mbetje, që ishin akumuluar dhe u çuan në Landfild. Nuk është mjaftueshëm, por jam e bindur se me kryetarë të tillë si Tërmeti Shqipëria do të jetë më e pastër, jo vetëm për këtë sezon turistik, por për gjithë vitet që do të vijnë”, nënvizoi Çuçi.

Zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, tha gjithashtu se herë të parë kemi evidentuar në terren 199 pika në të gjithë Shqipërinë të venddepozitimeve.

Për sezonin turistik, shtoi ajo, jemi fokusuar tek 100 fshatrat jo vetëm për të vendosur një kalendar festash lokale për të gjitha bashkitë dhe fshatrat, por edhe për të patur një sezon turistik të jashtëzakonshëm.

“Në Nivicë kemi festën e Panit, Përmet dhe Kosinë gatimet e gjyshes, festa që do të mbajnë atraksionin turistik të zhvilluar edhe në muajt e tjerë”, tha Çuçi./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.