Muza e botës së modës Naomi Campbell, sot fik 48 qirinj

2018 Vanity Fair Oscar Party – Arrivals – Beverly Hills, California, U.S., 04/03/2018 – Model Naomi Campbell. REUTERS/Danny Moloshok

TIRANË, 22 maj /ATSH/ – Muza frymëzuese për stilistët më të mëdhenj në vitet ’80 dhe ’90, supermodelja Naomi Campbell mbush sot 48 vjeç, por asgjë nuk ka ndryshuar në pamjen e saj.

Ajo është gjithmonë e rëndësishme në pasarelat e modës dhe si imazh në revistat më prestigjioze. Në 4 qershor ajo do të kurorëzohet “Fashion Icon 2018” nga shoqata që shpërblen personalitetet e botës së modës.

Me origjinë xhamajkane, Naomi ka lindur në Londër në vitin 1970. Për 30 vjet, ajo është pjesë e pasarelave të modës dhe është cilësuar si “Pantera e zezë”, për paraqitjen e saj dhe bukurinë që e bën të veçantë nga modelet e tjera.

Në vitet 90′ ajo ishte pjesë e “Big Six”, grupit të famshëm të 6 supermodeleve, së bashku me Cindy Crawford, Claudia Schiffer, Linda Evangelista, Christy Turlington dhe Kate Moss. Por ndryshe nga shumë kolege, karriera e saj nuk është ndalur asnjëherë.

Pasioni i Naomit mbetet moda duke mbështetur dhe promovuar edhe femrat afrikane, ku jo rastësisht në mars mori pjesë në javën e modës në Lagos, Nigeri. Por jo vetëm kaq, që nga viti 2005, me iniciativën e ‘Charity Moda’, vazhdon të mbledhë fonde për shkaqe të ndryshme humanitare (të ardhurat këtë vit do të shkojnë për “Save the Children” dhe “Time’s Up”)./a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.