ELEKTRONIKË – Fizikani Tuomo Suntola merr “Nobelin e Teknologjisë”

HELSINKI, 22 maj /ATSH-ANSA/ – Nobeli i Teknologjisë 2018, ose “Millennium Technology Prize” me vlerën një milion euro, iu dha fizikanit finlandez Tuomo Suntola, shpikësi i teknikës që ka bërë më efiçente memoriet e smarfonëve dhe kompjuterave, duke mundësuar komunikime më të mira, përfshirë edhe rrjetet sociale.

Por kjo shpikje ka prekur edhe sektorë të tjerë, si mjekësia, energjia e rinovueshme dhe hapësirën, që përputhen edhe me frymën e këtij çmimi që i dedikohet risive që përmirësojnë shoqërinë dhe mjedisin.

“Të marrësh ‘Millennium Technology Prize’ është një nder i madh për mua, mbi të gjitha sepse kjo shpikje u tregua e dobishme në shumë aplikime që kanë përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzimit”, tha Suntola.

Teknika për të cilën u vlerësua quhet ALD (Atomic Layer Deposition) që mundëson veshjen e materialeve me filma prej super përçuesish apo izoluesish. Në vitet ’70 aplikimi i kësaj teknike në shkallë të gjerë shënoi një revolucion në elektronikë, duke mundësuar krijimin e mikroprocesorëve dhe memorjeve dixhitale më komplekse dhe efikase.

Vlerësohet se vlera në treg e produkteve elektronike që bazohet në këtë teknologji arrin të paktën 500 miliardë dollarë. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.