Xhaçka: “Rruga e Arbrit” do të krijojë lehtësira për banorët

TIRANË, 21 maj /ATSH- I. Vata/ – Në vijim të turit të llogaridhënies në qarkun Dibrës, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka ka zhvilluar në takim me banorët e njësisë administrative Ostren, të bashkisë Peshkopi, ku theksoi se “Rruga e Arbrit” do të krijojë lehtësira për banorët.

Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka shprehet se Infrastruktura në Ostren ishte një ndër problemet kryesore, por lehtësimi i lëvizjes për ata banorë do të nisë me “Rrugën e Arbrit”, për t’u shtrirë më tej.

“Por nëse ndërtimi i rrugës kërkon kohë, marrja e shërbimeve nga institucionet shtetërore për çdo qytetar, duhet dhënë një orë e më parë. Mungesa e shërbimit apo sorollatja e qytetarit është e patolerueshme dhe do të marrë fund”, – është shprehur Xhaçka.

Në vijim të rurit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka zhvilluar sot një takim me banorët e Njësisë Administrative Lis, në bashkinë e Burrelit, ku ju ka premtuar se do jetë avokatja e tyre në qeverinë qendrore për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në një postim në statusin e saj ministrja Xhaçka shprehet se “me banorët e njësisë administrative Lis në Burrel, të cilëve u premtova se do të jem avokatja e tyre jo vetëm në qeverinë qendrore, por do të jem një urë bashkëpunimi me pushtetin lokal edhe për problemet e tyre në dukje të vogla, por të përditshme dhe jetike”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.