Nga ujësjellësi te pika e grumbullimit, qeveria mbështetje financiare për bashkinë Dropull

TIRANË, 21 maj/ATSH/- Kryetari i bashkisë së Dropullit, Alihea Deçka falenderoi kryeministrin e vendit për katër projekte të rëndësishme të financuara, ndërsa vetë Rama i kërkoi projekte të mira në mënyrë që qeveria ti financojë.

Kryetari Deçka falenderoi Kryeministrin për mbajtjen e premtimit edhe për ujësjellësin, për të cilin tha se ndodhet në fazën e dytë të financimit.

“Në qeverisjen 5-vjeçare në bashkinë e Dropullit kemi 4 projekte të rëndësishme që kanë përfunduar. Dua të falenderoj edhe për rrugën e Pogonit që sapo përfundoi 3 km e gjysëm. Kemi një projekt për ujësjellësin dhe tani por presim financimin e fazës së dytë”, – tha kryetari.

Lidhur me financimin e ujësjellësit, Rama iu përgjigj Deçkës duke thënë se kjo e fundit do të bëhet mbi bazën e faturimit, në masën më të madhe të mbledhjes së tyre.

Sipas Deçkës, bashkia e Dropullit paguan rreth 95% të taksave në të gjithë qarkun e Gjirokastrës ndërsa i kërkoi Kryeministrit investime të tjera.

Në përgjigje të tij, Rama tha se investimet e qeverisë shkojnë për projekte të mira dhe u kërkoi bashkisë për të punuar në këtë drejtim. Sipas Kryeministrit, investimet e kryera në të gjithë vendin jepen në varësi të numrit të personave që prek, të sipërfaqes por jo mbi baza politike.

“Ne kemi hapur rrugën e financimit të drejtpërdrejtë të fermerëve duke i mbështetur më shumë. Është roli i bashkive për të marrë investime. Nëse fermerët kanë nevojë për pikë grumbullimi, mjafton që ju si bashki të bashkoheni me fermerët dhe ne bëjmë investimin për pikë grumbullimi. Ne jemi të gatshëm të investojmë nëse ju bëni projektin. Këto janë investime që krijojnë vlerë të shtuar.

Sa i përket çështjes së kanalizimeve, Rama tha se në gjithë Shqipërinë janë kryer investime masive dhe kryesorja sipas tij, është që këto investime nuk janë kryer mbi baza politike.

Ndërkaq, Kryeministri premtoi se nëse bashkia punon për ndonjë projekt për shkollat, ai premtoi se kjo e fundit do të futet në kalendarin e investimeve për vitin e ardhshëm.

“Nëse ju bëni projekte të mira, ne ju financojmë. Janë 52 shkolla për t’u rindërtuar këtë vit dhe nëse ju keni një projekt dhe keni nevojë për mbështetje për shkollat, ne do ta fusim në kalendarin e investimeve të vitit të ardhshëm”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.