FOTO- “Meeting of Style”, mblodhi artistët e grafiteve në Prishtinë

PRISHTINË, 21 Maj/ATSH/.- Muret e rrugës “B”, në Prishtinë kanë marrë një pamje të re plot ngjyra nga grafitet e më shumë se 100 artistëve nga e gjithë bota, pjesëmarrës në festivalin “Meeting of Style”, i mbajtur nga 18-20 maj në Kosovë.

Vullnetarja Jonida Kuçi tha se pati interesim të madh të qytetarëve për të ndjekur nga afër punën e artistëve që punuan për të mbuluar 1800 metra katrorë mure të Prishtinës me grafite.

Banorët e lagjes “B”, shprehen të kënaqur me punën që është bërë për pikturimin e mureve.

Qytetari Artan Canhasi, tha për KosovaPress se “këto grafite i kanë dhënë më shumë hijeshi rrugës B, ku edhe jeton”.

Airborne Mark nga Londra, i ardhur për herë të parë në Kosovë, duke ndarë përshtypjet e tij për Prishtinën, vlerësoi mikpritjen shqiptare.

Për Thomas Fuch, i njohur me nofkën e tij artistike “FATAL”, Kosova është ndryshe nga shumë vende të Europës. Edhe pse është hera e parë e tij në Kosovë, ai thotë se do të dëshironte të vinte përsëri.

Sa i përket punës së tij në grafit, Fuch tha se është një paraqitje e ndjenjave të tij, që është e vështirë të thuhen me fjalë, prandaj edhe i paraqet përmes vizatimeve artistike.

Ndërsa nga Portugalia për t’iu bashkuar këtij festivali kishte ardhur edhe Ausr Philipe, i cili në grafitin e tij kishte paraqitur lirinë e majmunëve.

Duke u shprehur i lumtur që pati rastin të jetë pjesë e këtij aktiviteti, artisti Philipe thotë se ndjehet i mrekulluar me vendasit.

Nga ky aktivitet me grafitë janë mbuluar 1800 metra katrorë mure të Prishtinës nga 100 artistë të vendeve të ndryshme të botës, si Portugalia, Italia, Gjermania, Britania e Madhe e vende të tjera./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.