SEUL, 20 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu koreano-jugor Moon Jae-in premtuan sot gjatë një bisede telefonike për të punuar ngushtë për suksesin e samitit të ardhshëm mes Uashingtonit dhe Phenianit, pas kërcënimeve koreano-veriore për të anuluar këtë takim.
Pas disa muajve afrim dhe qetësimi diplomatik, Pheniani bëri të mërkurën një rikthim spektakolar në retorikën e tij tradicionale duke përmendur mundësinë për rrezikimin e samitit shumë të pritshëm në mes të qershorit.
Zëvendësministri koreano-verior i Punëve të Jashtme, Kim Kye Gwan akuzoi gjithashtu SHBA-në se po detyron Phenianin të heqë dorë njëanshmërisht nga programi bërthamor.
Koreja e Veriut ka anuluar gjithashtu bisedimet e nivelit të lartë me Seulin për të protestuar kundër manovrave mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
“Gjatë bisedës telefonike Trump dhe Moon folën për veprimet e fundit koreano-veriore”, njoftoi në një komunikatë presidenca koreano-jugore.
Dy drejtuesit ranë dakord për të punuar ngushtë për suksesin e samitit historik të 12 qershorit në Singapour mes presidentit amerikan, Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un./
/ec/