Publikohet harta e qyteteve ku do të investohet masivisht në infrastrukturën publike

TIRANË, 20 maj/ATSH/- Qeveria do të financojë ndërtimin e 50 shkollave, 6 kopshteve dhe 52 terreneve sportive në të gjithë vendin. Financimet janë miratuar edhe për ndërtimin e 1 pallati sportiv dhe një fushë sportive të përmasave olimpike.

Sipas hartës të bërë publike nga Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Pasqyra e qeverisjes këtë javë”, në qarkun e Shkodër, do të ndërtohen 5 shkolla, 1 kopsht dhe 3 terrene sportive, ndërsa në Kukës 4 shkolla.

Në qarkun e Lezhës në hartën e investimeve është parashikuar ndërtimi i 3 shkollave, 2 kopshteve dhe 5 terreneve sportive, ndërsa në Durrës 4 shkolla.

Harta e investimeve parashikon ndërtimin e 2 shkollave në Dibër ndërsa në Elbasan parashikohet ndërtimi i 5 shkollave dhe 2 terreneve sportive.

Në qarkun e Tiranës është miratuar investimi për ndërtimin e 4 shkollave, 1 kopshti dhe 2 terreneve sportive.

Në qarkun e Korçës është parashikuar të ndërtohen 3 shkolla dhe 2 terrene sportive, ndërsa në Fier, qeveria ka miratuar financimet për ndërtimin e 9 shkollave e 2 terreneve sportive.

Edhe në Berat është parashikuar të investohet për ndërtimin e 3 shkollave dhe 1 terreni sportiv, ndërsa në Vlorë do të ndërtohen 5 shkolla, 1 kopsht dhe 3 terrene sportive.

Në Gjirokastër sipas hartës së publikuar të investimeve do të ndërtohen 4 shkolla.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.