Paloka fton qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës

TIRANE, 20 maj/ATSH/-Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka në një deklaratë për mediat fton qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen në protestën e opozitës në datë 26 maj, ora 11:00 .

Paloka u shpreh se përmes protestës duan ti dërgojë një mesazh Europës se duan një qeveri të ndershme që të realizojë kushtet për hapjen e negociatave.

“Ju ftoj të gjithëve, të shtunën në orën 11.00, pa dallime partiake të bashkohemi në protestën kombëtare, për t’i dhënë mesazhin Europës se shqiptarët europianë refuzojnë një qeveri antieuropiane!  Se duam një qeverisje të ndershme, e cila do të realizojë kushtet për hapjen e negociatave. Se duam luftën dhe jo mbrojtjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Se duam drejtësinë e barabartë për të gjithë dhe jo drejtësinë  e kapur”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Paloka akuzoi se po zbatohet një skenar që synon mbylljen e hetimeve pa vënë para drejtësisë vëllain e ministrit të Brendshëm./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.