Nxënësit e shkollës “Vasil Shanto” me laborator modern informatike

TIRANË, 18 maj /ATSH/ – Të gjitha shkollat e Tiranës do të pajisen me laboratorë modernë për zhvillimin e lëndës së teknologjisë së informacionit.

Ky është lajmi i mirë që vjen për nxënësit e kryeqytetit, pas prezantimit të projektit për transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë dhe inovacionit në rajon.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani përuruan laboratorin e ri të informatikës në shkollën “Vasil Shanto”, i cili përmirëson ndjeshëm mësimdhënien në fushën e IT.

“Jam shumë i lumtur që sot po hapim një laborator informatike, që vjen si një investim konkret me 14 kompjutera për klasën e informatikës në shkollën ‘Vasil Shanto’. Unë e di që Tirana ka 226 shkolla, por duke folur për të 226 nuk zgjidhim gjë, ama duke folur për secilën prej tyre e duke bërë çdo ditë nga një punë me miq që dhurojnë diçka konkrete, atëherë mund të transformojmë çdo shkollë”, – tha Veliaj.

Ai shtoi se bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me donatorët, do ta shtrijë projektin e ndërtimit të laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e qytetit.

“E filluam fillimisht investimin tonë me terrenet sportive, të cilat pasditeve dhe në fundjavë janë të zëna, që do të thotë se nisma për hapjen e terreneve sportive për komunitetin ishte një strategji ideale. Pastaj, filluam me rikonstruksionin e shkollës, tani do të kalojmë tek palestra. Është shumë e rëndësishme që të investojmë edhe në infrastrukturë, por edhe në dhënien e dijeve, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. Duam që ta vijojmë këtë edhe me donatorë të tjerë, në të gjitha shkollat e Tiranës, për t’i pajisur ato me laboratorë modernë”, – tha Veliaj.

Një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e të rinjve për teknologjinë e informacionit do të jetë japë edhe transformimi i Piramidës, e cila shumë shpejt do të kthehet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e nismash, por edhe një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.

“Fëmijët do të mësojnë si të kodojnë, si të bëjnë software, si të zhvillojnë programe kompjuterike, çka besoj se duke pasur një ‘fidanishte’ e cila fillon në teknologji të informacionit në shkollë dhe duke finalizuar pastaj me një qendër të madhe siç do të jetë Piramida, kemi siguruar një infrastrukturë për gjeneratën e ardhshme të të rinjve në Tiranë”, – deklaroi Veliaj.

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani vlerësoi bashkëpunimin me bashkinë e Tiranës dhe jetëzimin e këtij projekti në fushën e teknologjisë informative, që do të përgatisë të rinjtë për të ardhmen.

“Është kënaqësi e madhe që bashkëpunojmë me një tjetër projekt të bashkisë së Tiranës. Është një shkollë fantastike, pata rastin t’i hidhja një sy dhe shikoj që është e rinovuar. Kontributi ynë në këtë projekt synon të mbështesim të rinjtë në botën ku ata jetojnë dhe ku teknologjia e informacionit zë një vend të konsiderueshëm. Është një shtysë e mëtejshme për të rinjtë”, – tha ambasadorja Sourani. /e.malaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.