Muzetë, një realitet për njerëzit me aftësi ndryshe

TIRANË, 18 maj/ATSH/.- Ata duhet të ndihen njëlloj si pjesa tjetër e shoqërisë dhe si të tillë mund të bëjnë aktivitete çfarëdo, madje dhe të vizitojnë lirshëm një muze historik, apo një muze arti.

“Muze që komunikojnë me të gjitha format: Qasje të reja, publik i ri” është kjo tema e zgjedhur për vitin 2018 në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, e cila përkon me datën 18 maj 2018.

Pikërisht në këtë kuadër, Muzeu Historik Kombëtar e përqendroi vëmendjen në drejtim të një publiku tepër special e të veçantë, tek personat me aftësi ndryshe.

Me këtë rast Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot një “Tryezë të Rrumbullakët” me temë “Muzetë: Një realitet për njerëzit me aftësi ndryshe”.

Pjesëmarrës në tavolinën e rrumbullakët ishin: Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Etleva Demollari, Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Azbie Ramaj, Drejtoreshë e Institutit të Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Lorela Musta, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës “Steps”, Xhemal Xhafa, Drejtor i Institutit të Nxënësve që Nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”.

“Muzetë janë një mjet i rëndësishëm për shkëmbimin kulturor, pasurimin e kulturave dhe zhvillimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimin dhe paqen midis popujve”, tha drejtori i MHK-së Koçi, i cili evidentoi faktin se jetojmë në një shoqëri që nuk është plotësisht e hapur ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Por ai theksoi se “me anë të ligjit të vitit 2014 u vendosën parimet themelore të mosdiskriminimit, nëpërmjet të cilave garantohet që personat me aftësi të kufizuara të mos trajtohen në mënyrë të diferencuar; por të kenë mundësi të barabarta”.

Ndërsa duke iu referuar punës në Muzeun Historik Kombëtar për të mundësuar që dhe njerëzit me aftësi ndryshe ta vizitojnë atë, Dr. Dorian Koçi u shpreh se “që prej vitit 2014 në ambientet e Muzeut është bërë e mundur vendosja e rampave dhe e një ashensori që bëjnë të mundur lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuara. Madje, jashtë Muzeut, ka dhe vend parking enkas për ta. Njerëzit me aftësi të kufizuara duhet të ndjehen të respektuar dhe vlerësuar si vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar.  Faktori “mirëpritës” është vendimtar kudo, në fushën e publikimeve, shërbimeve dhe programeve që ofrohen etj”.

Pas fjalës së Dr. Dorian Koçit, i cili ftoi pjesëmarrësit të debatonin rreth kësaj çështje, mori fjalën Etleva Demollari, Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, njëkohësisht anëtare e grupit të aksesit në Rrjetin Ballkanik të Muzeve (Balkan Museum Network).

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti Xhemal Xhafa, Drejtor i Institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, i dha Muzeut Historik Kombëtar një çertifikatë mirënjohje me motivacionin “Për përmirësimin e standardit të shërbimit ndaj fëmijëve me probleme shikimi në Institutin “Ramazna Kabashi”, Tiranë.

Në fund të kësaj tryeze të rrumbullakët, nga të pranishmit u ra dakord që ky bashkëpunim ka për qëllim të mbështesë personat me aftësi të kufizuara për të pasur akses në të gjitha sferat e jetës, si në qendrat kulturore ashtu dhe në qendra të tjera publike./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.