FOTO/ Klosi: Shqipëria, një hartë me festa gjatë gjithë sezonit turistik

TIRAN 18 maj/ATSH/- Festat lokale do të shtrihen gjatë gjithë sezonit turistik jo vetëm në bregdet, por në çdo zonë me potencial zhvillimi turistik.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga festa e luleshtrydhes në Frakull të Fierit, theksoi se çdo aktivitet që promovon produktet simbol të zonës, kulinarinë, traditat, kulturën dhe natyrën shqiptare është një formë e mirë e promovimit dhe zhvillimit të turizmit jo vetëm për turistët vendas, por edhe të huaj.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se festa të tilla do të organizohen gjatë gjithë sezonit dhe do të mbulojnë të gjithë territorin e Shqipërisë për të ofruar në këtë mënyrë për të gjithë turistët, një alternativë më shumë se turizmi i detit.

Bashkia e Fierit është një nga bashkitë pararojë në promovimin e vlerave të zonës dhe ministri Klosi siguroi se ide krijuese si këto festa, do të mbështeten edhe në të gjithë vendin.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi garantoi ministrin Klosi se festa të tilla do të vijojnë për të promovuar produktin simbol të zonës, por edhe trashëgiminë e traditat.

Ministri Klosi, kryebashkiaku Subashi, deputetë të zonës dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, inauguruan hapjen e festës me prerjen e tortës festive dhe më pas vizituan panairin, ku luleshtrydhja ishte simboli i gatimeve apo pijeve, por edhe simboli i festimeve në qendër të Frakullës. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.