Guvernatori i BSH-së Gent Sejko prezantoi në Kuvend, raportin vjetor të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2017
TIRANË, 17 maj /ATSH/- Viti 2017 ka qenë një vit progresi për ekonominë shqiptare, e cila u rrit me 3.8% duke regjistruar një dinamikë pozitive në krahasim me rritjet 2.2% dhe 3.4% përkatësisht në vitet 2015 dhe 2016 dhe krijimin e rreth 79 mijë vende të reja pune, deklaroi sot në Kuvend, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të “Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017”.
Guvernatori tha se politika dhe aktiviteti i Bankës Qendrore ka mbështetur rritjen ekonomike të vendit dhe stabilitetin financiar. Ndërsa theksoi se, pavarësisht treguesve pozitivë ekonomia shqiptare përballet me disa sfida afatmesëm e afatgjatë zhvillimi.
“Shmangia e rreziqeve potenciale dhe vazhdimi i reformave strukturore në interes të përshpejtimit të rritjes ekonomike të vendit, janë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballemi”, tha Guvernatori.
Detyra jonë si politikëbërës, vijoi ai, është hartimi i planeve kosistente dhe koseguente të veprimit për të adresur në kohë të gjitha problemet me të cilat përballemi.
Më tej, ai bëri një ekspoze të panoramës ekonomike e financiare të vendit, në të cilën theksoi se viti 2017 ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar.
“Zgjerimi aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe rezultoi me bazë të gjerë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate ai u mbështet nga rritja e konsumit, investime dhe eksporteve”, tha Sejko.
Guvernatori theksoi se, nga zgjerim i kërkesë agregate përfituan kryesisht sektorët i shërbimeve, ndërtimit dhe turizmit. “Në mënyrë të spikatur për vitin 2017, ecuria pozitive e sektorit të turizmit siguroi një impuls të ri në rritjen ekonomike”, tha Sejko.
Më konkretisht, Guvernatori u ndal në kontributin që BSh-ja ka dhënë në përmirësimin e ambientit ekonomik e financiar nëpërmjet: zbatimit të një politike monetare stimuluese, e cila mbështeti rritjen e ekonomisë në 3,8%, punësimit, pagave dhe inflacionit; mbikëqyrjes së kujdesshme dhe përqasjes proaktive të rregullimit bankar, duke ndihmuar përmirësimin e treguesve të aktivitetit të sektorit bankar; rritjes së sigurisë së sistemit bankar, përmes ngritjes së strukturave të specializuara për të administruar ndërhyrjet e ristrukturimet e nevojshme tek bankat me vështirësi paguese; nxitjes së zhvillimit e funksionimit eficient të sistemit të pagesave; nxitjes së edukimit financiar; forcimit të mëtejshëm të institucionit të bankës qendrore, falë investimit të vazhdueshëm për rritjen e profesionalizmit, të pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës; si dhe përmes bashkëpunimit e shkëmbimit të informacioneve e opinioneve me partnerë të brendshëm e të jashtëm.
Guvernatori theksoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur në vitin 2017 ka qenë faktor i rëndësishëm për mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit. Nëpërmjet saj është garantuar një ambient ekonomik dhe financiar me norma të ulëta interesi, në kushtet e një likuiditeti të bollshëm. Megjithatë bashkërendimi i politikës monetare me atë fiskale ka qenë jetik për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme.
Sejko shtoi se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masat e saj në lidhje me nivelin relativisht të lartë të përdorimit të monedhës euro në tregjet financiare dhe në ekonominë shqiptare.
Guvernatori u shpreh se veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2017 ka qenë e qëndrueshme dhe mbështetëse për ruajtjen e stabilitetit financiar. Treguesit kryesorë financiarë të veprimtarisë së sektorit bankar u shfaqën në përmirësim dhe uljen e kredisë me probleme në nivelin 13.2%, krijimin e rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa, inflacioni erdhi në rritje.
Ai shtoi se pavarësisht zhvillimeve pozitive, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për përmirësimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj mbikëqyrëse dhe të kuadrit rregullator. /e.xh/ /a.g/
