TIRANË, 17 maj/ATSH/ – Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë po restaurohet në kuadër të programit “Rrugët e Besimit”.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut, duke theksuar se ky program mundëson restaurimin e objekteve të Kultit si pjesë e zhvillimit të Turizmit Kulturor.
“Mirëmëngjes dhe me këto foto nga kantieri i restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, pjesë e programit “Rrugët e Besimit” që mundëson restaurimin e objekteve të Kultit si pjesë e zhvillimit të Turizmit Kulturor, ju uroj të gjithë qytetarëve myslimanë agjërim të lehtë”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.

Xhamia e Et’hem Beut u krijua në fund të shekullit XVIII nga Mulla Beu dhe u përfundua nga i biri i tij Haxhi Et’hem Beu në çerekun e parë të shekullit të XIX.
Kjo xhami unikale, e vetmja e ruajtur plotësisht prej 20 xhamive të tilla, të ndërtuara në gjysmën e dytë të shek. XIII, përfaqëson një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, për shkak të arkitekturës së saj, si dhe pikturave murale të mrekullueshme që zbukurojnë mjediset e brendshme dhe të jashtme të kësaj xhamie.
E vendosur në qendër të kryeqytetit, me një stil mjaft elegant dhe të veçantë, xhamia e Et’hem Beut, bashkë me Kullën e Sahatit, përfaqëson një nga objektet më tërheqëse për turistët dhe vizitorët e kryeqytetit dhe një element themelor të vetëdijes sonë kolektive.
/gj.mima/ /a.g/