Basha regjisor i audiopërgjimit, opozita organizatë e rrezikshme kriminale

TIRANË, 17 maj/ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një dalje për mediet, ka akuzuar me tone të ashpra kreun e PD-së, Lulzim Bashën si përgjegjës për videon e montuar, duke e konsideruar këtë të fundit një akt kriminal.

Balla e ka konsideruar skandaloze videon e stisur nga ana deputetëve të Partisë Demokratike, ndërsa ka kërkuar menjëherë vënien e tyre përpara drejtësisë.

“Ajo që ndodhi, me paraqitjen publike të personit, që pretendon se ka qenë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit është tregues i shndërrimit të një partie në një organizatë të rrezikshme, që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre dhe më së pari sot, për fatin e keq rezulton se Lulzim Basha është autori, regjisori dhe aktori i videopërgjimit të montuar, me të cilin ka shpresën e fundit të bllokojë vendimmarrjen e vendeve anëtare të BE për hapjen e negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe BE. Nuk ia vlen aspak të diskutosh për vërtetësinë e deklarimeve të këtij njeriu që edhe pa e ditur se kush është, duket që është mashtrues i rëndomtë, i dënuar disa herë për disa vepra penale. Ajo çka duhet të sjellim në vëmendje të publikut sot, është fakti se është e rrezikshme për fatin e demokracisë sonë, skema dhe metoda që ka përdorur këto ditë PD”, – ka thënë Balla.

Sipas tij, asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur që një parti politike të humbasë kaq rëndë arsyen, sa të përfshihet në skemë kriminale.

“Asnjëherë deri më sot nuk ishte parë që një parti politike të humbiste kaq rëndë arsyen, sa të përfshihej në një skemë kriminale të rëndë”, – tha Balla.

Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar ndërsa kërkoi hetim të plotë nga ana e prokurorisë, e quajti këtë të fundit, një shantazh kundër shtetit dhe mashtrim politik të prodhuar nga zyrat e PD-së.

“Deklaroj sot se Partia Socialiste e Shqipërisë do t’i shkojë deri në fund këtij shantazhi kundër shtetit, duke kërkuar hetim të plotë penal ndaj këtij mashtrimi politik dhe kriminal të prodhuar në zyrat e PD-së”, – tha ai.

Sipas Ballës, PD jo vetëm që e ka paguar personin në video për mashtrimin, por edhe e ka ndihmuar për t’u arratisur jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Një individ me një skemë tepër të rënduar kriminale, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë e që pranon publikisht se është përdorur nga Partia Demokratike në këtë inskenim, duhet që menjëherë të përballet me drejtësinë bashkë me regjisorin e tij. Situata është tepër e rrezikshme. Çdo gjë mund të pritet nga ata që e thirrën, ata që e përdorën për të fabrikuar dëshminë tjetër dhe më pas për dijeni tuaj të publikut edhe e kanë paguar dhe kanë tentuar të për ta larguar jashtë territorit të Shqipërisë”.

Me tone shumë të ashpra, kreu i grupit parlamentar ka theksuar se kundër këtij skandali ligjor e politik, PS-ja është e vendosur për t’i shkuar deri në fund çështjes.

“Ky është një sulm i rrezikshëm kundër institucioneve të shtetit ndaj prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe sa më shumë vendosmëri për ti shkuar deri në fund të kësaj çështje. Jemi përpara një skandali tepër të madh, ligjor dhe politik ndaj prokuroria është organi i vetëm i gjithë pranuar për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë. Ne duam t’i shkojmë kësaj çështje deri në fund të të jeni të bindur se do t’i shkojmë asaj deri në fund”, – theksoi Balla. /z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.