Transformimi i Piramidës në një destinacion energjik të bukurisë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155811565531523/

 

TIRANË, 16 Maj/ATSH-Gjergji Mima/ – “Është e jashtëzakonshme të shohësh që ky vend që sot është një destinacion melankolik i shëmtisë, kthehet në një destinacion energjik të bukurisë”, deklaroi kryeministri Edi Rama sot në prezantimin e projektit për shndërrimin e Piramidës së Tiranës në një superqendër inovacioni e teknologjie për të rinjtë.

Kryeministri u shpreh se ky projekt ka qenë një ëndërr e vjetër e tij kur ishte kryetar i bashkisë.

Rama theksoi se projekti ka një forcë magnetike për t’u kthyer në një pikë referimi për pjesën më të rëndësishme si fëmijët dhe të rinjtë.

“Projekti ka arritur të zgjidhë një pikë kyçe të sfidës që gjatë gjithë kësaj kohe nuk zgjidhej midis rilindjes së kësaj godine dhe funksionit të saj. Mund të shohësh modele që funksionojnë në vende të tjera dhe mund t’i eksportosh. Por problem nuk është që të transferojmë projektin, por që t’i japim përmbajtje çdo dite dhe ta bëjmë në funksion të njerëzve, jo vetëm si prani ikonike mes njerëzve”, tha Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi kryebashkiakut Veliaj për zgjimin e Tiranës nga gjumi dhe për transformimin e saj në këto vite. “Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve  dhe me Erionin kemi diskutuar që në fillim kur ai mori mandatin për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. Vazhdimisht pyetja ishte çfarë mund të ishte që mund ta mbante godinën gjallë? Është e vërtetë që në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet t’u shkonte fëmijëve dhe të rinjve”, tha Rama.

Por, theksoi Rama, “sërish kemi pasur dilemë, pasi Erioni kërkonte një rrugë për ta shndërruar në pjesën e të rinjve trendi të Tiranës, gjë që mund të rrezikonte ta kthente në një qendër rinore të ardhur me sforcim në kohë. Unë i thoja fëmijët, fëmijët dhe besoj se kjo është më shumë meritë e Zahos sesa e imja. Dhe kur Erioni më telefonoi me entuziazëm, më tha e gjetëm zgjidhjen. Dhe faktikisht më foli për projektin dhe është diçka përtej ëndrrës time më të bukur. Është e jashtëzakonshme dhe dua t’i komplimentoj ideatorët e kësaj qendre sepse besoj që është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken të largëta me njëra tjetrën fëmijët dhe teknologjinë”.

Rama, shtoi “se me këtë projekt një tjetër hap konkret i madh do të bëhet në rrugën shumë të e vështirë mes të bukurës dhe shëmtuarës në Tiranë”.

Rama deklaroi se kjo nismë shënon një tjetër hap të madh në rrugën e vështirë midis të bukurës dhe shëmtirës në Tiranë.

“Më vjen mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish  që jam i bindur do të na garantojë këtë projekt dhe më vjen shumë mirë që është një tjetër hap konkret i madh që do të bëhet në rrugën shumë të vështirë mes së bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë sepse unë e kam shumë problem, kur ndeshem me njerëz që thonë s’kemi bukë, ç’na duhet sheshi, ç’na duhet pema, , ne na duhet buka, na duhet uji, vaji . Sigurisht patjetër, por një gjë e di me siguri dhe besoj që ka vende të bukura në botë që s’janë të pasura, por nuk ekziston një vend i shëmtuar që nuk është i varfër. Është një gjë e jashtëzakonshme për mua që ky vend i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë të kthehet në një destinacion energjik i bukurisë sepse potenciali është i gjithi këtu, sfida për të përdorur të kaluarën si kalë për të ardhmen, këtu është e zgjidhur”, deklaroi Rama.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.