Rama për Euronews: Kemi nevojë për hapjen e negociatave

80

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – “Nuk kemi nevojë për një datë për të nxitur njerëzit. Ne kemi nevojë të hapim bisedimet në qershor. Kaq është e gjitha. Dhe nuk kemi nevojë për gjë tjetër”, kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në një intervistë me gazetaren Efi Koutsokosta të Euronews.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 2025 është një horizont ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë gati për në BE nëse punojnë dhe se ëndrra e tij është që të gjithë shqiptarët të bashkohen në qiellin e Bashkimit Europian dhe se nuk ka ëndërruar kurrë për një “Shqipëri të Madhe”.

Intervista e plotë e Kryeministrit Rama për Euronews

Komisioni Europian dëshiron t’i ofrojë perspektivën e anëtarësimit në BE gjashtë vendeve të Ballkanit, ndërsa ndikimi rus dhe kinez në rajon është rritur.

Shqipëria aspiron t’i bashkohet Bllokut së bashku me fqinjët e Ballkanit Perëndimor si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Kosova – pjesa më e madhe e të cilëve ishin zona lufte, pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990.

Megjithatë, mosmarrëveshje nga e kaluara dhe nevoja për reforma janë mes çështjeve që kanë nevojë të zgjidhen përpara se BE të hapë krahët për anëtarët e ardhshëm.

Shqipëria, së bashku me Maqedoninë, kanë fituar mbështetjen e Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Të enjten, një samit i Ballkanit Perëndimor në Sofje do të diskutojë ofertën e hyrjes së këtyre vendeve.

Efi Koutsokosta, Euronews:

“Serbia dhe Mali i Zi, vende që konsiderohen në pararojë të integrimit europian, mund t’i bashkohen BE-së deri në 2025-ën. Është një datë treguese. Kur prisni që Shqipëria t’i ndjekë pas?

Edi Rama:

Sot, po, Serbia dhe Mali i Zi po bisedojnë dhe për këtë arsye janë përpara nesh në këtë proces. Por, 2025-a është horizont, ku të gjithë ne mund të jemi të gatshëm nëse do të punojmë shumë dhe ne bëjmë punën tonë.

Efi Koutsokosta:

“A keni nevojë për një datë me qëllim që të nxisni njerëzit për të ndjekur reformat e nevojshme?

Edi Rama:

“Jo, nuk kemi nevojë për një datë për të nxitur njerëzit. Ne kemi nevojë të hapim bisedimet në qershor. Kaq është e gjitha. Dhe nuk kemi nevojë për gjë tjetër. Vetëm të hapim bisedimet dhe kjo nuk i kushton gjë Europës; për këtë nuk do të paguajnë asnjë cent. Ndërsa për ne, është një çështje ‘jete a vdekje’, në kuptimin që hapja e bisedimeve do të thotë se ne më në fund jemi në të ardhmen dhe e kemi lënë pas të kaluarën.

Efi Koutsokosta:

“BE ka paraqitur disa sfida të tjera. Zoti Juncker tha kohët e fundit se ka ende krim të organizuar dhe se ai nuk do ta importojë këtë situatë në Europë.

Edi Rama:

“Në radhë të parë, nuk pritëm Presidentin Juncker apo këdo tjetër jashtë vendit të na tregojë se ka akoma një luftë të madhe për të bërë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe shumë gjërave të tjera. Çështja është e thjeshtë. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave. Dhe aparati i Komisionit, që është një aparat i bollshëm më ekspertë të cilët merren me fakte dhe jo me lajme të pavërteta, na ka dhënë një rekomandim pozitiv pa kushte. Por, nisur nga kjo, t’i ndash vendet në vende me krim dhe pa krim, është pak e panatyrshme. Nëse ka krim të organizuar europian, është një krim i organizuar dhe i ndërlidhur dhe këtë duhet ta luftojmë së bashku.

Efi Koutsokosta:

Në lidhje me sfidat e brendshme, dëshiroj të flasim për një çështje tepër të ndjeshme për BE-në si liria e medias. Së fundmi, ”Reporterët pa Kufij” publikuan një raport për gazetarët ku thuhet se 80% e tyre ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre dhe gjithashtu të ekspozuar ndaj fyerjeve, sipas tyre, të Edi Ramës i cili i ka cilësuar gazetarët kazan, helm dhe armiku i publikut. A mendojnë kështu gazetarët në vendin tuaj?

Edi Rama:

Unë nuk e kam për zakon të përgënjeshtroj në mënyrë të drejtpërdrejtë se çfarë thonë burimet mediatike. Por, kur them “kazan”, është një mënyrë për të thënë në shqip “lajm i rremë”, sepse në shqip nuk tingëllon mirë e përkthyer kjo fjalë. Kështu që nuk kam ofenduar asnjëherë personalisht dhe drejtpërsëdrejti një gazetar. Sigurisht që shpreh mendimin tim për media kazan dhe ne kemi sot shumë media të tilla në botë. Nëse kanë të drejtën të shprehin mendimin e tyre, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam të drejtën të shpreh mendimin tim.

Efi Koutsokosta:

Por, i njëjti raport thotë gjithashtu se standardet rregullatore manipulohen në interes të qeverisë.

Edi Rama:

Kjo është një tjetër gënjeshtër. Por, unë nuk dëshiroj të flas për këtë gjë. Gjithmonë të ngjallen dyshime kur dëgjon një kryeministër, president apo politikan të thotë se media po gënjen. Fakti është se media po gënjen shumë ditët e sotme. Pra, ky është një problem. E respektoj shumë solidaritetin midis medias dhe ”Reporterëve pa Kufij” apo kujtdo tjetër. Ata bëjnë punën e tyre, unë timen.

Efi Koutsokosta:

Ne e dimë se në Ballkan ka shumë minoritete shqiptare, por edhe në shtete të tjera. E shihni veten si udhëheqësin e shqiptarëve, popullit shqiptar apo jo?

Edi Rama:

Sipas kushtetutës, ne kemi detyrimin të mbrojmë shqiptarët jashtë kufijve, por, në të njëjtën kohë, më duhet të them se shqiptarët nuk kanë qenë më mirë se sot kudo që jetojnë. Sot në Kosovë ata kanë shtetin e tyre. Në Maqedoni ata janë pjesë e një revolucioni real, përsa i përket ndryshimit të qasjes drejt gjuhës shqipe dhe popullit shqiptar. Në Serbinë Jugore, shpresoj shumë se kushtet e tyre të përmirësohen edhe për faktin se serbët e Kosovës trajtohen shumë më mirë.

Efi Koutsokosta:

Por, së fundmi keni aluduar se ju mund të keni një lider të përbashkët me Kosovën një ditë. Kjo deklaratë ka shkaktuar shumë reagime.

Edi Rama:

Më vjen keq për reagimet, por nuk ishte qëllimi im të bëja një deklaratë kaq të fortë. Ishte thjesht një imagjinatë e shprehur në një rrethanë të veçantë si 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, teksa i drejtohesha Parlamentit të Kosovës si dëshmitar. Dhe unë e kam thënë 20 vite më parë, kjo ishte një mrekulli. Dhe nëse dikush do të fliste për pavarësinë e Kosovës, e gjithë bota do të tronditej. Sot ne jemi këtu dhe çfarë do të ndodhë në 20 vite? Dhe përpara se të thosha: Pse mos të kemi një president për të dy shtetet, unë do të thosha se dialogu me Serbinë do të finalizohet me sukses dhe shqiptarët dhe serbët do të jenë anëtarë të BE-së. Pra, ka shumë parakushte deri sa të shkojmë tek një president për të dy vendet.

Efi Koutsokosta:

Jeni penduar për këtë deklaratë tani?

Edi Rama:

Jo.

Efi Koutsokosta:

Por, ju e përjashtoni një projekt të bashkimit të shqiptarëve në të ardhmen, ndoshta?

Edi Rama:

Jo. Unë kam thënë gjithmonë se ëndrra ime është që ne të bashkohemi nën qiellin e Bashkimit Europian dhe unë nuk kam ëndërruar kurrë për një Shqipëri të Madhe, sepse unë kam një ëndërr më të madhe, një Europë të Madhe, me shqiptarët brenda.

Efi Koutsokosta:

Ka një opinion, natyrisht, që projekti i zgjerimit të BE-së u rigjallërua pasi ka një prani më të madhe rusësh, prani të madhe turqish dhe prani të madhe kinezësh në rajon. A mendoni se këto vende mund të përdorin këtë rajon për të destabilizuar Bashkimin Europian?

Edi Rama:

Po, ka hapësira që dikush duhet t’i mbushë. Dhe është një hapësirë që i përket Europës dhe i përket Bashkimit Europian. Kështu, Bashkimi Europian duhet të marrë përgjegjësi strategjike për këtë hapësirë. Pasi, nëse ekziston hapësirë boshe, natyrisht që do të jenë të tjerët që do të përpiqen të shkojnë atje dhe ta mbushin. /p.s/ /sm/  a.jor./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.