Rama akuzon opozitën për të mbuluar skandalin “Xhafaj”

TIRANË, 16 maj /ATSH- I. Vata/ – “Kryeministri, Edi Rama akuzon Partinë Demokratike si pengesë për integrimin Europian sa herë atij i plasin skandale apo opozita i zbulon lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një deklaratë për mediet.

Në vijim, Basha shprehet se “makineria e propagandës dhe e shpërqendrimit të opinionit publik është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e radhës të qeverisë. Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave. Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë. Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin”.

“Sot ishte radha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambientale, të pamanipuluara!Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm. Shfaqja e Edi Ramës sot është po aq e neveritshme dhe e pabesueshme sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë”, tha ai.

Po ashtu, Basha shton se “në asnjë rresht të deklaratës së tij, kryeministri nuk u dha llogari shqiptarëve pse Fatmir Xhafaj ka penguar zbatimin e ligjit Antimafia për pasurinë e të vëllait, i dënuar për trafik droge dhe, rrjedhimisht, edhe për pasurinë e vet, siç e kërkon me detyrim ligji Antimafia”.

“Mbrojtja e Fatmir Xhafajt dhe jo shkarkimi i tij nga Edi Rama është një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë. Duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj, deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia”, pohon Basha

Më tej, Basha pohon se kryeministri Rama akuzon opozitën si penguese e integrimit të Shqipërisë për të mbuluar skandalet e qeverisë. “Sa herë atij i plasin skandale dhe sa herë opozita i zbulon lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, Edi Rama akuzon Partinë Demokratike si pengesë për integrimin Europian!”, shprehet Basha.

“Në emër të Partisë Demokratike, i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi”, shprehet në fund Basha./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.