Piramida, qendër për brezin e parë të fëmijëve që do të merren me IT

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Piramida do të pësojë një transformim të madh duke kaluar nga një simbol i një regjimi të egër në një qendër multi-funksionale IT për fëmijët dhe të rinjtë e vendit.

Gjatë prezantimit të projektit të transformimit të këtij objekti me vlerë historike, arkitektët ndërkombëtare shpjeguan sesi do të ndryshojë nga ana vizuale piramida.

“Ne duam që piramida të jetë pjesë edhe e rrethinave të saj. Ndoshta pak njerëz e dinë që pjesa me e madhe është është poshtë nesh, 1/3 është sipër dhe 2/3 është poshtë”, – u shpreh njëri nga arkitektët.

“Ne duam ta bëjmë eficiente, t’i shtojmë volume brenda, ku çdo funksion të gjejë vendin. Duam që

këto pavione të programohen për të ardhmen e piramidës. Duam që shkallët të shkojnë deri në majë të piramidës. Për ta bërë më transparente, arkitektët shpjeguan se xhamat ekzistues do të zëvendësohen me ato transparentë dhe në majë të piramidës do të vendoset gjelbërim”.

Por, si do të transformohen hapësirat e brendshme dhe për çfarë do të shërbejë konkretisht? 

Arkitektët ndërkombëtare e kanë konceptuar simbolin e piramidës si një mënyrë për t’i dhënë besim të plotë brezit për të zhvilluar aftësitë e tyre për të ardhmen e vendit, e parë kjo në fushën e zhvillimit teknologjik. Hapësirat e brendshme që përbëjnë edhe 2/3 e godinës do të shërbejnë si mundësi trajnimi dhe seminare për fëmijët kryesisht dhe të rinjtë në fushën e teknologjisë nga software tek rrobotikë, etj.

Sipas tyre, përdorimi i shkencës dhe robotikës, sofware, vritualiteti do u japë mundësi këtyre fëmijëve, të zhvillojnë aftësitë dhe prirjet për shkencën po kështu edhe mësimin e muzikës përmes kodimit.

Fëmijët që do të jenë pjesë e këtyre hapësirave, do i përkasin nga mosha 5 për të vijuar edhe me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.

Përmes vizionit të transformimit të Piramidës, realiteti virtual do u japë fëmijëve dhe të rinjve mundësi për të qenë të lirë në zhvillimin e aftësive të tyre veçanërisht në fushën shkencore.

Arkitektët ndërkombëtarë që kanë projektuar transformimin e Piramidës janë Ronald Hogeveen(Arkitekt) drejtues i projektit MVRDV dhe Pegor Papazian, drejtor Ekzekutiv TUMO ventures.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.