Panairi i arsimit për studime në SHBA, Lu flet mbi mundësitë e të rinjve

TIRANË, 16 maj/ATSH/-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu iu bashkua panairit të arsimit për të ndjekur studimet në SHBA apo programe të  ndryshme shkëmbimi, të zhvilluar sot në kryeqytet.

Në një prononcim për mediat, Lu tha se të rinjtë shqiptarë mund të përfitojnë nga programet e studimit dhe punësimit  që SHBA ofron për periudha të caktuara kohe.

“Nëse do të studiosh për disa muaj në një nga Universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund edhe aplikosh në programe pune, ku mund të punoni për disa muaj ndërsa ndiqni studimet”, tha diplomati amerikan.

Ai deklaroi se “brezi juaj ka kaq shumë mundësi dhe unë kam besim se ju do të bëheni udhëheqësit e ardhshëm që do ta çojnë Shqipërinë drejt një të ardhmeje më të mirë”.

Qendra Informative e Arsimit Amerikan ne Shqiperi (EDUSA-UMB) në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizoi sot Panairin e Arsimit,  për t’u dhënë nxënësve shqiptarë një mundësi për të folur drejtpërdrejt me pjesëmarrës në programe shkëmbimi ose të diplomuar në universitete apo kolegje amerikane, për të mësuar mbi mundësitë e studimit në Shtetet e Bashkuara.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.