Monumenti më i vjetër i kryeqytetit tërheq vëmendjen e turistëve gjermanë

132

TIRANË, 16 maj /ATSH/ – Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Një grup vizitorësh gjermanë, të cilët pas një turi disa ditor nëpër Shqipëri, destinacion të radhës kishin edhe vizitën pranë Mozaikut të Tiranës.

Turistët u njohën me Trashëgiminë Kulturore të Qytetit të Tiranës dhe në veçanti morën informacion në lidhje me mozaikun dhe objektet që ndodhen pranë tij.

Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).

Salla qëndrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absiden gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.

Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash. Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.