Mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

61

TIRANË, 16 maj/ATSH/ – Këshilli i Sigurisë Kombëtare në mbledhjen e tij të zhvilluar ditën e sotme, ka diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, ku mes tyre ishte lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, emigracioni i paligjshëm si dhe mbrojtja kibernetike.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u drejtua nga Presidenti Ilir Meta, i cili theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe forcimit të kontrollit të kufijve.

Gjithashtu Presidenti shprehu mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Po kështu, raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Europian dhe agjencive partnere të specializuara për këto çështje të rëndësishme, nënvizoi Presidenti i Republikës, janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qëndrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Për gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018 informoi Kryeministri, Edi Rama.

Për çështjet e tjera informuan anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.