FOTO-“Aulona Interfolk”, dimensioni turistik dhe gërshetimi i traditave

279

Vlorë, 16 maj/ATSH-Harilla Koçi/.- Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që shënoi edhe startin e sezonit turistik në Vlorë, ishte përgjatë tre ditëve mjedisi ku u mblodhën dhe gërshetuan traditat e popujve, u shkëmbyen kulturat, ku, muzika ishte gjuha e vetme dhe aq e kuptueshme për artistët e ardhur nga skaje të ndryshme të kontinentit dhe më gjerë.

Mbrëmja e vonë e datës 14 maj, shënoi edhe finishin e Edicionit të 10-të të festivalit, një edicion, i pazakontë, i ndryshëm nga paraardhësit.

Ky festival mblodhi mijëra qytetarë vlonjatë, që përjetuan atmosferën festive të krijuar nga folklori më shumë se europian, nga ngjyrat e kostumeve, ritmi dhe bukuria e valleve dhe këngëve popullore të ansambleve nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga Kina e largët.

Grupet pjesëmarrëse prezantuan pjesët më të mira, me esencën e traditave të trevave nga vijnë. Synimi nuk ishte thjesht një garë, por për të përcjellë dashuri, njohje, jetë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të kapërcyer e tejkaluar kufij.

-Nata finale-

Edicioni i 10-të i Festivalit, përcolli këto mesazhe. Gara ishte vetëm simbolika formale,  pjesa e strukturës së një aktiviteti të tillë që, u finalizua në natën finale.

Ansambli “Epirus”, nga Selaniku(Greqi), u shpall fitues i Edicionit të 10-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”.

Mes të gjitha grupeve pjesëmarrëse, që u përfaqësuan me vlerat e traditave shpirtërore të folklorit nga vendet dhe trevat e ndryshme nga Ballkani, Europa e Azia, artistët nga vendi fqinj u vlerësuan më të mirët.

Në një atmosferë festive, në skenën e Festivalit që, ndryshe nga edicionet paraardhëse, ishte vendosur në një hapësirë moderne e funksionale përgjatë “Lungomares” se re të qytetit, Kupën e Edicionit të 10-të e dorëzoi Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Duke përshëndetur fituesit e këtij aktiviteti dhe të gjitha grupet pjesëmarrëse në Festival, si edhe artdashësit e shumtë, ai veçoi vlerat e këtij festivali, të cilin e cilësoi një aktivitet jo thjesht të përmasave ndërkombëtare, por një mundësi njohjeje dhe bashkëpunimi për të përcjellë imazhin e Vlorës në botë.

Ai tha se, në këtë festival gërshetohen kulturat dhe pjesëmarrësit njohin e mësojnë traditat respektive. “Ashtu siç është ky Festival, e tillë është edhe Vlora jonë, e cila do të donim të ishte e të gjithëve, e juaja, njerëzve dhe të afërmve, miqve e bashkëkombasve tuaj”, u shpreh ai, ndërkohë që i ftoi artistët pjesëmarrëse nga vende të ndryshme, të vijnë në Vlorë edhe në të ardhmen.

Ansambli “Epirus” nga Greqia, u përfaqësua me një repertor të pasur, ku përfshiheshin këngë dhe valle nga treva të ndryshme të vendit fqinj, mes të cilave edhe vallja e njohur “Zorba”, apo “Çamiko” etj.

Performanca e tyre, u pëlqye dhe u duartrokit nga artdashësit e shumtë, qytetarë të Vlorës e turistë të huaj, që mbushën për tre netë me radhë, hapësirën ku zhvillohej ky aktivitet.

Krahas kësaj, Juria e Festivalit, nderoi me Kupën e 10 Vjetorit të “Aulona Interfolk”, Ansamblin nga Quanzhou(Kinë), “Minnan Folk”. Është hera e parë që në këtë Festivali Folklorik Ndërkombëtar, por edhe në aktivitete të tjera të ngjashme që zhvillohen në Shqipëri, merr pjesë një grup folklorik nga Kina.

Artistët popullorë kinezë, performuan me këngë dhe valle, duke krijuar një atmosferë tepër festive dhe duke përcjellë tek shikuesit ngjyrat dhe ritmet e kostumeve dhe folklorit të pasur të vendit të tyre. Ishte i njëjti repertor me të cilën ata u prezantuan edhe në çelje të Lojrave Olimpike që u zhvilluan në Pekin. Kupën e 10 vjetorit të Festivalit Foklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, e dorëzoi Prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj.

-Festivali, si një dimension shpirtëror dhe vlerash-

Për tre netë me rradhë, ky aktivitet, që është shndërruar tashmë në një traditë, mblodhi qindra artdashës, qytetarë, vizitorë e turistë të huaj, që ndodhen në qytetin e Vlorës, duke krijuar një atmosferë tepër festive përgjatë “Lungomares”. Në ndryshim nga edicionet paraardhëse, skena e këtij festivali u vendos në një mjedis të hapur, funksional e modern, pranë kësaj shetitoreje, i konceptuar dhe përshtatur për aktivitete kulturore, sipas një projekti bashkëkohor.

Në të morën pjesë 10 ansamble folklorike nga vendi dhe bota, mes të cilëve, “Epirus”, Selanik, Greqi, “Minnan Folk”, Guanzhou, Kinë, “Lidhja e Prizrenit”, Kosovë, “Kremikovci”, Sofje, Bullgari, “TDA Dizdancis”, Jelgava, Letoni, “Çitta di Orosei”, nga Sardenja, Itali, “Toplan”, Giraltovce, Sllovaki, Ansambli “Krahu i Shqiponjës-Taip Madani”, Vlorë, Grupi Polifonik i Dukatit, Vlorë, Ansambli “Vaçe Zela”.

Në dy netët e para të këtij aktiviteti, grupet pjesëmarrëse performuan nga repertori i tyre, ndërkohë që, në natën e tretë, u interpretuan pjesë të zgjedhura.

Mes risive të Edicionit Jubilar të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, ishte përfaqësimi për herë të parë i një ansambli nga një vend aziatik, siç ishte Kina, si edhe vendzhvillimi i këtij aktiviteti në një hapësirë përgjatë “Lungomares”.

Gjithashtu, prania e Ansamblit “Çitta di Orosei” nga Sardenja, që u mundësua me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, u vlerësua mjaft nga specialistët, të cilët veçuan karakterin thellësisht burimor të folklorit që ata prezantuan.

Këngët polifonike sarde, apo instrumentat muzikorë si Launedat, një flaut antik i vjetër 3000 vjeçar me origjinë etruske, me dy gypa të mëdhenj dhe një më të vogël, punuar me dorë, një tambur i veçantë i bërë me dorë, me lëkurë të vërtetë që ngrohet me ajër përpara se të përdoret, apo kërcimi “bricu” dhe “passo” torrado, që janë valle tradicionale që ngjasojnë me valet ballkanike, ose hapat e valles shqiptare, tërhoqën vëmendjen e organizatorëve dhe u pëlqyen nga publiku.

Po ashtu, u pëlqyen edhe vallet ritmike letoneze, sllovake e bullgare, ndërkohë që u përcollën me ngrohtësi  interpretimet e grupeve të Dukatit etj.

Prania e këngëtarëve të njohur Besiana Mehmedi nga Maqedonia e Shkodran Tolaj, nga Kosova, u dhanë gjallëri të veçantë netëve të festivalit, ku shkëlqeu gjithashtu prezantimi i Silvana Braçes, e shndërruar në një ikonë të “Aulona Interfolk”.

 

-Festivali, hapësirë për promovimin e turizmit-

Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, njëkohësisht ideator dhe nismëtar i këtij aktiviteti, thotë se, në këto edicione janë përmbushur objektivat për të konsoliduar këtë festival në profilin e vet dhe për ta shndërruar atë në një hapësirë të promovimit të turizmit në Vlorë.

“Tashmë festivali ka përmasa më shumë se evropiane, sepse shtrihet edhe në Azi, ndërkohë që i shërben dukshëm  turizmit kulturor në Vlorë”, thotë Gjokoli.

Ai veçon se, pjesë e këtij qëllimi është edhe hapësira e ditëve të festivalit, kur si pjesë e programit, festivalistët vizitojnë vende të ndryshme me vlera turistike, historike e arkeologjike, bregdetin në pika të ndryshme të tij etj.

Kalaja e Kaninës, ishte një nga objektet e përfshira në programin e këtij edicioni, ku artistët nga vende të ndryshme kaluan orë të këndshme.

Po ashtu, u zhvilluan edhe parada të konstumeve përgjatë “Lungomares” dhe bulevardit të qytetit. Në sheshin e përuruar së fundi përpara godinës së Teatrit “Petro Marko”, u zhvillua një performim i pjesëve të zgjedhura. Ndërkohë, artistët e huaj, vizituan edhe Panairin e Prodhimeve Vendase, të çelur në këtë shesh, organizuar nga Agjencia e Zhvilimit Ekonomik Lokal, AULEDA. Ata shijuan prodhime vendase mes të cilave edhe verërat lokale dhe produkte të tjera tipike, të fermerëve vlonjatë.

-Në vëmendjen e Bashkisë dhe institucioneve-

Përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse, u pritën në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili i falenderoi për pjesëmarrjen në Festivalin “Aulona Interfolk”. “Me shumë përulësi mund të them që, unë, si përfaqësues i Bashkisë së Vlorës, si përfaqësues i qytetarëve të Vlorës, jam i nderuar që, në këtë qytet, janë mbledhur kaq shumë artistë të vlerave të traditës, që përcjellin folklor dhe, përmes tij, kulturë, në të gjitha trevat dhe vende të ndryshme”, u shpreh ai, ndërkohë që, garantoi se do të vijojë të mbështesë këtë aktivitet të përmasave ndërkombëtare, si një vlerë e vërtetë për qytetin.

Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Rajonit të Vlorës, Arben Breshani, Festivali “Aulona Interfolk”, është një nga ato ngjarje që i shërbejnë veç të tjerash, zhvillimit të turizmit në Vlorë dhe, sikundër deri tani, do të mbështetet edhe në vazhdim nga komuniteti i biznesit.

 -Vështrim në vite-

Edicioni i 10-të i „Aulona International Folk Festival“, një produkt dinjitoz i Qendrës Kulturore « Aulona », u zhvillua me mbështetjen kryesore nga Bashkia e Vlorës, si dhe nga Ministria e Kulturës etj. Në 10 edicionet e këtij aktiviteti, Kupa e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk Festival“, ka shkuar në  Kroaci, Sllovaki, Kosovë, Tiranë ( Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore), Bullgari, Itali, Poloni, Bjellorusi dhe së fundi në Greqi.President Nderi i tij ishte Akademik, Ethem Likaj.

Gjatë këtyre 10 edicioneve, qytetin dhe bregdetin e Vlorës e kanë vizituar 80 ansamble dhe grupe folklorike, me mbi 2500 pjesëmarrës, nga 15 vende të ndryshme të Evropës dhe nga Azia, mes të cilave nga Italia, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Bjellorusia, Letonia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Kina.

Komiteti Organizator përbëhet nga emra të njohur të kulturës shpirtërore, mes të cilëve Akademik, Vaso Tole, regjisori Petrit Ruka,“Mjeshtër i i Madh”, apo specialistët, Kozma Billa, Agron Jakupi, etj.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar « Aulona Interfolk », që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Evropë e Azi./k.s/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.