Deklarimi i TVSH-së, informohen mbi procedurën 86% e biznesit në Durrës

91

TIRANË, 16 maj/ATSH/-Administrata Tatimore nxit biznesin e vogël që të vazhdojë të ndjekë nga afër sesionet e dedikuara të trajnimeve, t’i drejtohet për informacion këndit të asistencës, por edhe qendrës së thirrjeve, si dhe shërbimit live chat.

Drejtoresha e Tatimeve, Durrës Valbona Sako realizoi disa vizita inspektuese në subjekte që prej më shumë se një muaj janë bërë pjesë e skemës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për t’u njohur nga afër me mënyrën e zbatimit, por edhe me problematikat që mund të hasen.

Gjatë këtyre vizitave Sako konfirmoi vullnetin e administratës tatimore për të mbështetur këta tatimpagues në përmbushjen me korrektësi të detyrimeve, të tilla siç janë edhe hartimi e dorëzimi i librave të shitjes dhe të blerjes, kryerja e deklaratës së TVSH-së etj.

Në DRT Durrës janë 1 140 subjekte që pritet të deklarojnë TVSH-në dhe mbi 86% e tyre janë kontaktuar direkt në mjediset ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre.

“Punonjësit e shërbimit ndaj tatimpagues, janë gjithmonë të gatshëm që të ofrojnë të gjithë asistencën për të deklaruar drejt, si dhe për të shmangur çdo gabim të mundshëm”, siguroi Sako.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.