PD bllokon punimet në komisionet parlamentare

TIRANE, 15 maj/ATSH/- Partia Demokratike ka qenë sot e pranishme në komisionet parlamentare në tentativë për të bllokuar punimet e tyre në shqyrtimin e projektligjeve të përfshira në rendin e ditës.

Në komisionin e Medias, ku në axhendën e ditës ishte i përfshirë projektligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, kanë marrë pjesë jo vetëm anëtarët opozitarë të këtij Komisioni, por edhe deputetë të tjerë të PD që nuk janë pjesë e Komisionit.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, tha se nuk do të ketë seancë normale në asnjë komision derisa ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të japë dorëheqjen.

Edhe në komisionin e Ekonomisë dhe Financave që drejtohet nga deputeti i PS-së Erion Braçe, deputetë e PD kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm duke krijuar debate.

Pas debateve deputetëve të PD dhe kreut të komisionit, Erion Braçe, ata janë larguar nga mbledhja, duke bllokuar dhe punën e komisionit.

“Që Fatmir Xhafaj është një nga ministrat e Brendshëm më të mirë që ka pasur Shqipëria, jo vetëm në aspektin e raportit të tij me ligjin personal, por edhe në tagrin e ministrit, por edhe në aspektin tjetër të goditjes së krimit të organizuar dhe goditjes së trafikut të drogës në këtë vend”, – deklaroi Braçe. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.