Kosovë, Veseli: Vlerësojmë mbështetjen e Gjermanisë

TIRANË, 15 maj/ATSH/ – Kryeparlamentari Kadri Veseli vlerëson mbështetjen dhe përkrahjen që shteti gjerman po jep për Kosovën në një sërë fushash.

Veseli ka pritur sot në një takim një delegacion nga landi i Baden Wüttenberg-ut në Gjermani, të përbërë nga përfaqësues të ekzekutivit dhe legjislativit të këtij landi.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend, në veçanti me punën e Kuvendit të Kosovës në miratimin e shumë reformave legjislative në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë.

Ai theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të thellohet, duke theksuar nevojën që, në veçanti landi i Baden Wüttenberg-ut, ta mbështesë Kosovën në edukimin profesional sipas modelit gjerman, në ekspertizë në fushën e ekonomisë dhe mbështetje në raport me integrimin europian.

Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit nga Gjermania vlerësuan progresin e arritur në Kosovë dhe shprehen gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për Kosovën. /KosovaPress//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.