Iu ndërpre Vetting-u, Llalla nesër para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

TIRANË, 15 maj/ATSH/ – Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të jetë nesër përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelit, i cili do vlerësojë nëse ish-kryetari i organit të akuzës do t’i nënshtrohet ose jo procesit të Vetting-ut.

Sipas njoftimit për shtyp, “KPA bazuar në ligjin ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’ njofton, se ditën e mërkurë, ora 10:00, do të gjykohet në seancë gjyqësore publike çështja për ankimin që Komisioneri Publik ka bërë kundër Vendimit datë 16.02.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit zotin Adriatik Llalla”.

Kryesues i trupit gjykues do të jetë Sokol Çomo, relator i çështjes, Luan Daci ndërsa anëtarë do të jenë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Ina Rama.

Kjo seancë vjen në kuadër të vendimit të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ku për ish-kryeprokurorin Llalla u vendos ndërprerja e procesit të Vetting-ut, sipas vendimit të datës 16 shkurt 2018, pasi ai u largua nga sistemi i drejtësisë dhe më këtë argument KPK vendosi ndërprerjen e procesit të Vetting-ut.

/a.f/ /a.g/

Vendimi i KPK për Llallën:  http://kpk.al/wp-content/uploads/2017/11/vendimi-nr-2-dt-16.02.2018-1.pdf

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.