TIRANË, 14 maj/ATSH/ – Partia Socialiste i bëri thirrje sot Prokurorisë të nisë hetimet lidhur me pretendimet e Partisë Demokratike për lidhjet me krimin të Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot përmes një deklarate për shtyp, pas akuzave të Partisë Demokratike, duke theksuar se “… për ne askush s’është mbi ligjin”.
Balla kërkoi që ata që disponojnë materialin në audio ta çojnë atë në Prokurori dhe kjo e fundit të japë përgjigje për autenticitetin e asaj audioje.
“E dëgjuam me vëmendje pretendimin e sotëm të opozitës. PD pretendon se materiali audio është autentik dhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë padyshim që kemi të bëjmë me një provë që e implikon penalisht vëllain e ministrit të Brendshëm dhe moralisht këtë të fundit”, – tha Balla.
Po ashtu, Balla ngriti pyetjen nëse ky material është një provë autentike, apo thjesht një inskenim i radhës, në përpjekjen e vazhdueshme të Saliut dhe Lulit, për të baltosur kë t’u dalë përpara, në orvajtjen e tyre për të penguar me çdo kusht çeljen e negociatave, si edhe për të luftuar me baltë drejtësinë e re, prej të cilës kanë të drejtë të jenë të tmerruar.
“Kësaj pyetjeje, mund t’i japë përgjigje vetëm Prokuroria dhe askush tjetër”, – tha Balla duke ftuar disponuesit e këtij materiali, hëpërhë të paprovuar si autentik, që të shkojnë dhe ta depozitojnë në Prokurori.
“Po ashtu, Prokuroria nuk duhet t’ia lëjë këtë çështje vullnetit të akuzatorëve, por duhet të fillojë hetimet në mënyrë të menjëhershme, sepse çdo shqiptar meriton të dijë të vërtetën”, – tha Balla.
Për ne, vijoi ai, askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk e bën ligjin në këtë vend përveç organeve të drejtësisë. Balla shprehu bindjen se duhet të ndëshkohet i akuzuari nëse është fajtor, ose akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shfaqje me zë, por pa figurë. /m.m/
