PEKIN – Kina dhe SHBA-ja vijojnë komunikimin për mosmarrëveshjet tregtare

PEKIN, 14 maj /ATSH/ – Në konferencën e shtypit të mbajtur sot në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Jashtme, Lu Kang njoftoi se me ftesë të qeverisë amerikane, zëvendëskryeministri i Kinës, Liu He, që është i dërguari i posaçëm i presidentit Xi Jinping, do të vizitojë SHBA-në nga datat 15 deri më 19 maj, njoftoi CRI-ja.

Liu është anëtar i Byrosë Politike të KQ të PKK-së dhe gjithashtu shefi i palës kineze për dialogun e plotë ekonomik Kinë-SHBA.

Gjatë vizitës, zëvendëskryeministri Liu dhe grupi ekonomik i palës amerikane i kryesuar nga sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin do të vijojnë diskutimet mbi problemet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve.

Më 13 maj, presidenti i SHBA-së Donald Trump shkruajti në profilin e tij në “Twitter” se Kina dhe SHBA-ja po punojnë së bashku për të siguruar prodhuesin e pajisjeve të telekomit, kompaninë ZTE, me masa të shpejta të rimëkëmbjes së biznesit dhe ka udhëzuar Departamentin amerikan të Tregtisë të trajtojë këtë çështje.

“Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin pozitiv, shprehur nga pala amerikane për çështjen e kompanisë ZTE dhe po mbajmë një komunikim të ngushtë me ShBA-në për zbatimin e masave konkrete. Dy palët po diskutojnë ngusht për disa çështje konkrete. Zv.kryeministri Liu He do të vizitojë SHBA-në nga 15 deri më 19 maj për të diskutuar me ekipin përfaqësues ekonomik të ShBA-së për çështje ekonomiko-tregtare dypalëshe. Kina është e gatshme të punojë me ShBA-në për nxitjen e rezultateve pozitive dhe konstruktive në raundin e ardhshëm të konsultimeve mbi çështjet ekonomike dhe tregtare”, deklaroi Lu Kang. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.