MB diskuton ngritjen e Bordit Këshillimor të Viktimave të Trafikimit

TIRANË, 14 maj/ATSH/ – Takimi i zhvilluar mes anëtarëve të Mekanizmit Kombëtar të Referimit diskutoi mbi ngritjen e Bordit Këshillimor të Viktimave të Trafikimit dhe hartimin e termave të referencës.

Takimi i cili u zhvillua sot në ministrinë e Brendshme, doli me rekomandime lidhur me termat e referencës së Bordit, zbatimin e aktiviteteve të parashikuara në planin e punës për adresimin e Rekomandimeve të Progres Raportit, adresimin e problematikës së fondeve për qendrat jopublike, vazhdimin e trajnimeve me punonjës të strukturave ligjzbatuese dhe profesionistëve që operojnë në fushën antitrafikim, të fushatave ndërgjegjësuese për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit, për fëmijët e pashoqëruar dhe fëmijët në situatë rruge.

Gjatë takimit është diskutuar mbi një sërë çështjesh mjaft të rëndësishme përsa i përket fushës së antitrafikimit si dhe mbi marrjen e masave për organizimin e fushatave informuese gjatë periudhës së verës dhe çështje të tjera të rëndësishme për mirëfunksionimin e MKR-së, sikurse mbështetja nga Koordinatori Kombëtar lidhur me fondet e alokuara për stafin e qendrave dhe parashikimi i fondit të ushqimit.

Diskutimi u kryesuar nga zv/ministrja e Brendshme dhe njëkohësisht Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Rovena Voda.

Në takim morën pjesë anëtarët e Marrëveshjes së Funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ardiana Jaku, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nga Shërbimi Social Shtetëror, etj. /m.z/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.