Kosovë- Ndërtimi i rrugës Smrekovnicë-Gojbulë, lajm i mirë për ekonominë e vendit

PRISHTINË, 14 Maj/ATSH/.- “Përurimi i punimeve të segmentit Smrekovnicë-Gojbulë, të autostradës Prishtinë-Mitrovicë, është lajm i mirë për ekonominë e vendit”, theksoi sot kryeministri Ramush Haradinaj.

Në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve të kësaj rruge që mbanë emrat e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha., Haradinaj tha se “jemi bashkuar për një vazhdim të një projekti, në të cilin është bërë një punë shumë e mirë mes të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, në mënyrë që ta rishohim në dritë një projekt që pas një ndërprerje tani po bëhet realitet”.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili këtë rrugë e cilësoi si një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë së Kosovës.

“Qasja e qeverisë për të vazhduar fuqishëm me modernizimin e infrastrukturës në tërë hapësirat e Kosovës, është qasje që i duhet Kosovës, shtetit dhe qytetarëve”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit nënvizoi se “kjo rrugë dhe të tjerat që janë kryer, si ajo Prishtinë-Prizren-Shqipëri, pastaj rruga që është në përfundim e sipër Prishtinë-Shkup, ajo që sapo ka filluar në drejtim të Gjilanit dhe tjetra Kijevë-Pejë, janë investime që do të vazhdojnë dhe që po e ndryshojnë dhe fuqizojnë vendin tonë, duke e bërë vendin me infrastrukturën më moderne edhe në nivel rajonal”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u shpreh se ky është një nga segmentet më me rendësi në Republikën e Kosovës, që e lidhë Prishtinën me Vushtrrinë dhe Mitrovicën, por edhe Kosovën dhe rajonin.

“Infrastruktura është bazament për të pasur zhvillim cilësor ekonomik”, tha kryetari Veseli.
Për ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, kjo rrugë po ndërtohet me të gjithë strukturën moderne të nevojshme për një rrugë.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se “konstruksioni financiar i kësaj rruge është i sigurt deri në Mitrovicë, por qëllimi është që kjo të vazhdojë deri në kufi të Kosovës me qëllim që të lidhet me korridoret e tjera”.

Nga ana tjetër, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se “ky segment rrugor do t’i hapë rrugë zhvillimit ekonomik dhe bujqësor”.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë do të mbajë emrat e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Europës Juglindore.

Investimet kapin vlerën 2 milionë euro për 5 kilometra. Rruga do të ketë edhe dy pjesë tjera./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.